Mbahet turneu memorial në nderim të prokurorit Enver Krasniqi
Në shenjë nderimi dhe respekti për prokurorin special të ndjerë Enver Krasniqi, për kontributin e tij në sistemin e drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, organizoi sot turneun memorial të futbollit në të cilin morën pjesë ekipe nga institucionet e drejtësisë. Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, tha se…

Lajme
Në shenjë nderimi dhe respekti për prokurorin special të ndjerë Enver Krasniqi, për kontributin e tij në sistemin e drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, organizoi sot turneun memorial të futbollit në të cilin morën pjesë ekipe nga institucionet e drejtësisë.
Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, tha se qëllimi i këtij turneu është përkujtimi i një njeriu shumë të çmuar, i cili ka dhënë kontribut jashtëzakonisht të madh për sistemin prokurorial dhe ka lënë gjurmë të pa shlyera në sistemin e drejtësisë.
Isufaj ka përkujtuar se prokurori Enver Krasniqi ishte adhurues i madh i sportit.
“Qëllimi i organizimit të këtij turniri është përvjetori i vdekjes i një njeriu të çmuar, një kolegu shumë të respektuar, i cili ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në sistemin prokurorial, duke lënë gjurmë ta pashlyera në sistemin e drejtësisë, njeri i cili kishte integritet, por mbi të gjitha e donte familjen e shoqërinë, ishte adhurues i madh i sportit, luante futboll dhe ky ishte qëllimi pse organizuam këtë turnir për nder të respektit të jetës Enver Krasniqi”, ka thënë Isufaj.
Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Valdet Dumani, tha se ky organizim synohet të bëhet tradicional.
“Sot jemi mbledhur të nderojmë figurën e ish-prokurorit të ndjerë Enver Krasniqi. Jemi mbledhur prokuroritë themelore, këtu 7 prej tyre plus Specialja, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial. Si fillim për këtë vit e kemi organizuar këtë turnir, mendohet të vazhdojë tutje të bëhet tradicional”, ka thënë ai.
Dren Kaqandolli nga Departamenti për hetimin e krimeve të luftës ka folur mbi punën dhe angazhimin profesional të prokurorit Enver Krasniqi.
“Qëllimi i këtij turniri memorial për nder të prokurorit special Enver Krasniqi ka qenë me qëllim të përkujtimit të përvjetorit të prokurorit Enver. Përveç që kemi punuar me të, ne e kemi pasur edhe mik, shok, bashkëlojtar shumë të mirë në fushë. Qëllimi ka qenë përkujtimi i veprës profesionale edhe angazhimi i tij që ka pasur në fushën sportive”, ka thënë ai.
Prokurori Enver Krasniqi ndërroi jetë para katër vjetësh, pas një sëmundje të shkurtër.