​Mbahet ceremonia e hapjes së procesit të digjitalizimit të shkollave në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka mbajtur ceremoninë e hapjes së procesit të digjitalizimit të shkollave duke pajisur institucionet arsimore me tabela digjitale. Në kuadër të këtij projekti, sot në shkollën fillore “Dardania” , u prezantuan pajisjet e reja. Kryetari i Prishtinës Perparim Rama tha se përveç instalimit të paneleve digjitale smart tv në shkollën “Dardania”, instalimi…

Lajme

04/03/2025 15:27

Komuna e Prishtinës ka mbajtur ceremoninë e hapjes së procesit të digjitalizimit të shkollave duke pajisur institucionet arsimore me tabela digjitale.

Në kuadër të këtij projekti, sot në shkollën fillore “Dardania” , u prezantuan pajisjet e reja.

Kryetari i Prishtinës Perparim Rama tha se përveç instalimit të paneleve digjitale smart tv në shkollën “Dardania”, instalimi do të vazhdojë edhe në shtatë shkolla tjera dhe se deri në fund të vitit pretendohen të instalohen në të gjitha shkollat dhe klasat e kryeqytetit.

Tutje Rama tha se tashmë të gjithë nxënësit dhe studentët kanë qasje në kurrikulat digjitale.

“Kemi filluar instalimin e paneleve digjitale, paneleve smart tv, televizioneve inteligjente, të cilat tash po i instalojmë në shkollën ‘Dardania’, vazhdojmë të i instalojmë në shtatë shkolla tjera, ndërsa deri në fund të vitit pretendojmë me instalu nëpër të gjitha shkollat, në të gjitha klasat. Ky është një pjesë e zhvillimit të programit tonë në ndër lidhshmëri edhe të kurrikulës digjitale. Tashmë të gjithë studentët dhe nxënësit kanë qasje në kurrikulën digjitale, që i lehtëson shumë edhe problemet që i kanë pasur me mbajtjen e librave. Kemi një sistem të avancuar në shkollat e kryeqytetit. Jemi duke punuar që të implementojm edhe inteligjencën artificiale si pjesë e zhvillimit të kryeqytetit”, tha ai.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit në Prishtinë Jehona Lushaku, tha se është e lumtur që e kanë pajisur shkollën “Dardania” me instalimin e tabelave digjitale dhe se ky trend do të vazhdoj edhe në shkollat e tjera, ku në tri ditët e ardhshme do të pajisen edhe shtatë shkolla tjera.

“Siç po e shihni kanë inventar të ri tërësisht, kanë tabela digjitale kemi kurrikule digjitale, dhe po synojmë që ti pajisim me të gjitha mjetet shtesë. I kemi pajisur me dollap individual, e gjitha shkolla, secili nxënës është e pajisur me dollap individual. Jemi të lumtur që e kemi pajisur shkollën ‘Dardania’ dhe do të vazhdojmë me shtatë shkolla tjera në dy-tri ditët e ardhshme”, shtoi ajo.

Procesi i digjitalizimit me tabela digjitale pritet të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit, me qëllim që të gjithë nxënësit të kenë qasje në këto tabela digjitale në mënyrë që mësimi të jetë me kushte bashkëkohore.