Mbahen ligjërata me klubet kundër kurdisjeve të ndeshjeve, promovohet broshura “Ta ruajmë integritetin e garave”

Në kuadër të përgatitjeve që FFK po i bën për fillim të mbarë të edicionit të ri, Zyra për Integritet të garave ka nisur mbajtjen e ligjëratave kundër kurdisjes së ndeshjeve dhe dukurive tjera negative me klubet e Superligës dhe Ligës së Parë.

Lajme

06/08/2019 16:10

Njëherësh në këto takime me klubet është bërë edhe promovimi i broshurës “Ta ruajmë integritetin e garave”.

Zyrtari për integritet të garave në FFK, Ejup Osmani, gjatë këtyre ligjëratave ka kërkuar nga futbollistët që të jenë syçelë dhe të mos bëhen ‘argatë’ të manipuluesve dhe njerëzve të lidhur me mafinë, që synojnë prishjen e ‘fair-play’-t në futboll. Tutje, Osmani, ka shpjeguar se paratë e këtyre manipuluesve vijnë nga rrugë të pista dhe krimet, prandaj, sipas tij, të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm dhe të raportojmë çdo përpjekje të përfituesve të tillë që synojnë të joshin futbollistët, gjyqtarët apo drejtuesit e klubeve për kurdisje të ndeshjeve.

Osmani ka theksuar se FFK është e vendosur që të mbrojë integritetin e garave dhe ka njerëz të angazhuar për të mbikëqyrur zhvillimin e secilës ndeshje, por ka kërkuar edhe nga futbollistët që të japin kontributin e tyre duke i thënë fuqishëm ‘Jo’ manipuluesve të tillë potencialë, duke e raportuar çdo rast të mundshëm në Zyrën për Integritet të Garave në FFK.

Ligjëratat e tilla do të vazhdojnë të mbahen me të gjitha klubet si dhe me delegatët e gjyqtarët e ndeshjeve, me qëllim që të gjithë të përfshirët në garat e futbollit të jenë sa më të informuar në parandalimin e kësaj dukurie./Lajmi.net/

Kliko për t’u shfaqur BROSHURA