Mbahen Konsultimet Politike ndërmjet Kosovës dhe Estonisë në Tallinn

Kosova dhe Estonia zhvilluan në Tallinn Konsultimet Politike, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të jashtme dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e çështjeve me interes reciprok. Konsultimet u kryesuan nga z. Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm i MPJD-së, dhe znj. Siiri Königsberg, Drejtore e Përgjithshme për Çështje Evropiane në MPJ-në e Estonisë. Gjatë…

Lajme

19/06/2026 16:10

Kosova dhe Estonia zhvilluan në Tallinn Konsultimet Politike, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të jashtme dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e çështjeve me interes reciprok.

Konsultimet u kryesuan nga z. Ilir Muçaj, Sekretar i Përgjithshëm i MPJD-së, dhe znj. Siiri Königsberg, Drejtore e Përgjithshme për Çështje Evropiane në MPJ-në e Estonisë.

Gjatë konsultimeve u diskutuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Estonisë, me fokus në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat e zhvillimit digjital, inovacionit, arsimit dhe mbrojtjes.

Palët shkëmbyen pikëpamje edhe për procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës, perspektivën evropiane të rajonit dhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

“Në kuadër të drekës së punës të organizuar nga z. Martin Roger, Zëvendëssekretar për Çështje Politike në MPJ-në e Estonisë, u diskutua situata gjeopolitike në Evropë, përfshirë agresionin e vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës dhe implikimet e tij për sigurinë evropiane, si dhe bashkëpunimi shumëpalësh, përfshirë temat që lidhen me Këshillin e Evropës dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.Pala estoneze rikonfirmoi mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa të dyja palët vlerësuan progresin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun e rregullt politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.