Mazhoranca nuk e voton Ligjin për importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet, marrin “urdhër” nga Kusari-Lila

Propozimi që të lejohet importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet në Kosovë nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme. Ky propozim u paraqit para kuvendarëve nga deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai tha se ky ndryshim në ligjin për automjetet është i nevojshëm…

Lajme

30/10/2024 12:57

Propozimi që të lejohet importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet në Kosovë nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme.

Ky propozim u paraqit para kuvendarëve nga deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai tha se ky ndryshim në ligjin për automjetet është i nevojshëm për t’ua lehtësuar familjeve me ekonomi më të dobët blerjen e veturave, pasi sipas tij, jo të gjitha familjet kanë mundësi të blejnë vetura të reja.

Kryetarja e komisionit që është marrë me këtë çështje, Fitore Pacolli, u bëri thirrje deputetëve të votojnë kundër, pasi sipas saj, ka propozime joprofesionale.

“Komisioni ka shqyrtuar propozimet të cilat kanë ardhë nga deputeti, komisioni mendon se propozimet janë joprofesionale prandaj kërkojmë nga deputetët që mos t’i votojnë. Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës po rregullon ligjin e ri…ta presim i cili do të ketë ndryshime profesionale për ligjin për automjetet”, tha ajo.

Në një mesazh të fotografuar nga Nacionale, shihet se “urdhri” për këtë ka ardhur nga lart.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, iu shkruan mesazh në grupin e deputetëve në Whatsapp, “kundër”.

Propozimi për ndryshimin e ligjit nuk kaloi, duke marrë 52 vota kundër, pesë abstenim dhe vetëm nëntë për.