Maxhuni megjithatë nuk shkon në Beograd
Takimi i paraparë të mbahet sot në Beograd ndërmjet drejtorëve të Policisë nga Serbia, Hungaria, Gjermania dhe Kosova, është shtyrë për një afat të pacaktuar.
Lajme
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky takim është shtyrë nga pala organizative.
Takimin e kishte paralajmëruar të hënën ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës, Skender Hyseni, i cili ka thënë se drejtorët e policive të këtyre vendeve do të diskutonin çështjen e migrimit të paligjshëm të qytetarëve nga Kosova përmes kufirit Serbi – Hungari për në vendet e Bashkimit Evropian.
Zoti Hoxha ka thënë se takimi është shtyrë me kërkesën e vetë organizatorit të tij, në këtë rast Beogradit zyrtar.