Matoshi para deputetëve: MMPH po i disiplinon operatorët

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor ku të pranishëm kanë qenë edhe disa banorëve të fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës .

Lajme

08/07/2019 14:41

Siç njofton kumtesa, ministri Matoshi gjatë raportimit të tij kërkoi që edhe deputetët e Kuvendit të Republikës të ndërmarrin hapa konkret për çështjet e Hidrocentraleve dhe operimin e tyre në Kosovë, përcjell lajmi.net.

“Jemi në një fazë që unë nuk mundem në mënyrë arbitrare të ndërpres punimet sepse investitorët që janë duke punuar atje kanë dokumente të rregullta. Përveç parlamentit që mund ta ndërpres këtë çështje përmes akteve ligjore, unë nuk e kam fuqinë si ministër ta ndërpres këtë”, tha ministri Matoshi.

Ministri Matoshi tha se janë deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë miratuar ligje për hidrocentrale dhe se MMPH-ja është vetëm në zbatim të këtyre ligjeve.

“Merreni një iniciativë në Kuvend për ta ndryshuar ligjin, futeni në fuqi një moratorium deri në nxjerrjen e ligjit të ri, njëjtë siç keni bërë për kazinotë dhe ne e zbatojmë prej ditës së parë. Lejet mjedisore, lejet ujore, pikërisht ju i keni miratua, deputetët i kanë votuar dhe ne tashmë i zbatojmë”, tha Matoshi.

I pari i MMPH-së, tregoi për iniciativën e ndërmarrë ku ka njoftuar ZRrE-në për hidrocentralet që nuk plotësojnë kriteret ligjore për operim dhe si pasojë e kësaj janë shkyçur tri hidrocentrale prej shitjes së energjisë.

Matoshi iu përgjigj deputetëve dhe banorëve të fshatit Biti e poshtme të cilët pohuan se në ndërtimin e hidrocentraleve nuk ka pasur debat publik duke thënë se “Ne do të sigurohemi që t’i marrim procesverbalet në vitin 2013 -2014 dhe listën e pjesëmarrësve në këto debate publike”.

Ministri Matoshi gjatë këtij raportimi është shprehur i hapur që të paraqes të gjitha dokumentet që MMPH i ka dhënë për hidrocentrale në Kosovë.

Ai po ashtu ka mirëpritur edhe iniciativën e Komisionit për krijimin e një komisioni hetimor për hetimin e operimit të hidrocentraleve në Kosovë.

Nga kjo mbledhja e komisionit parlamentar, Matoshi e deputetët u dakorduan që MMPH të dërgoj një skicë mbi përgjegjësitë e secilit institucion që lidhet me hidrocentrale. /Lajmi.net/