Matoshi: Nisma nuk është e interesuar të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme
Fatmir Matoshi nga Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se ky subjekt politik aktualisht nuk është i interesuar të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës. Mirëpo, sipas Matoshit, për situatën në të cilën ndodhet tani Kuvendi i Kosovës, zgjedhja e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kryeparlamentar do të ishte e pranueshme për të gjithë.…

Lajme
Fatmir Matoshi nga Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se ky subjekt politik aktualisht nuk është i interesuar të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Mirëpo, sipas Matoshit, për situatën në të cilën ndodhet tani Kuvendi i Kosovës, zgjedhja e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj kryeparlamentar do të ishte e pranueshme për të gjithë.
Në këmbim të kësaj Matoshi në Tëvë1 ka thënë se Nisma është e gatshme që ta votojë qeverinë e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne kemi ndërtuar një qëndrim të qartë që Nisma Socialdemokrate në këtë moment nuk është e interesuar që të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës por në situatën aktuale çfarë jemi mendojmë që edhe për vendin, edhe për Lëvizjen Vetëvendosje por edhe për gjithë Kuvendin do të ishte jashtëzakonisht e mirëpritur dhe e pranueshme që kryetari Limaj të ishte kryetari I Kuvendit të Kosovës. Në këmbim të kësaj ne jemi të gatshëm pastaj ta votojmë një përbërje qeveritare të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Matoshi.
Ai më tej ka mohuar të ketë pasur ose të ketë në të ardhmen negociata për poste të tjera me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nuk kemi pasur negociim për poste të tjera dhe nuk do të kemi negociim për poste të tjera. Qëndrimi ynë është i qartë dhe nuk është kjo një kërkesë e cila nuk mund të realizohet, nuk është një kërkesë që të udhëheqim ministri e të bëhemi pjesë e qeverisë”, është shprehur ai.
Të hënën ka dështuar edhe përpjekja e 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, njëherësh përbërjes së nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurti.
Deputetët për të shtatëmbëdhjetën herë me rradhë nuk votuan për formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin e ri, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën e 4 qershorit nga ora 11:00.