“Mashtrimi s’kalon”, Haradinaj: Qeveria Kurti ka gënjyer qytetarët dhe i ka fyer ata me premtime boshe

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për ikjen e trurit nga vendi. Ai në një postim në “Facebook” tha se Kurti ka gënjyer qytetarët dhe i ka fyer ata me premtime boshe, shkruan lajmi.net. Haradinaj thotë se diaspora me qeverisjen e Kurtit i ka dyert e mbyllura. “Dhe…

Lajme

22/08/2024 14:49

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për ikjen e trurit nga vendi.

Ai në një postim në “Facebook” tha se Kurti ka gënjyer qytetarët dhe i ka fyer ata me premtime boshe, shkruan lajmi.net.

Haradinaj thotë se diaspora me qeverisjen e Kurtit i ka dyert e mbyllura.

“Dhe do të ndryshojë kjo gjendje. Rinia, gratë e mërgata, nuk do të jenë kategori të nëpërkëmbura, por do t’i rikthejmë në vendin që ju takon”,shkroi ai.

Postimi i plotë:

MASHTRIMI S’KALON

Nuk ka tallje më të madhe se sa të thuash se fitoren ma kanë dhënë  rinia, gratë dhe diaspora e të llogaritësh prapë në mbështetjen e tyre.

Të rinisë e cila kurrë nuk ka qenë në gjendje më të pashpresë. Të rinisë e cila në përmasa të frikshme po e braktisë vendin. Të rinisë e cila as nuk ka punë, as të hyra, as arsim cilësor e as shpresë se kjo qeveri e ky kryeministër, mund ta ndryshojë gjendjen për ta.

Nuk ka fyerje më të madhe se sa të thuash e kemi mbështetjen e grave, kur pozita e gruas e përfshirja e saj në jetën publike, është pothuaj e papërfillshme. Ku dhuna ndaj grave, edhe si rezultat i një depresioni kolektiv të shkaktuar nga kjo qeveri, po merr përmasa shqetësuese.

Të diasporës që i janë mbyllur të gjitha dyert për të investuar, për të kontribuar e për tu bërë pjesë e vendimmarrjes në vendin e tyre.

Dhe do të ndryshojë kjo gjendje. Rinia, gratë e mërgata, nuk do të jenë kategori të nëpërkëmbura, por do t’i rikthejmë në vendin që ju takon. /Lajmi.net/