Mashtrimi me transplantin e veshkës, dy persona akuzohen se i morën mbi 134 mijë euro një qytetari në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet V.H. dhe A.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, në një rast ku dëmi i pretenduar arrin në 134 mijë e 761 euro. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur gjatë periudhës 26 maj 2021 deri më 29 shtator 2023, në…

Lajme

19/08/2026 14:09

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet V.H. dhe A.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, në një rast ku dëmi i pretenduar arrin në 134 mijë e 761 euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur gjatë periudhës 26 maj 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lubeniq të Komunës së Pejës.

I pandehuri V.H. dyshohet se është paraqitur në mënyrë të rreme si mjek në specializim në një spital në Turqi, duke i premtuar një qytetari se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës.

Për realizimin e pretenduar të kësaj procedure, sipas Prokurorisë, V.H. dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar nga i dëmtuari shuma të ndryshme parash, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura që lidhen me transplantimin.

Prokuroria pretendon gjithashtu se ai ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim që ta bindte të dëmtuarin se transplantimi do të realizohej.

Nga këto veprime, sipas aktakuzës, i dëmtuari është shkaktuar dëm material në vlerë prej 134,761 eurosh.

Në këtë rast akuzohet edhe A.K., i cili dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e mashtrimit. Sipas aktakuzës, ai e kishte njoftuar të dëmtuarin me V.H.-në, duke e paraqitur këtë të fundit si mjek në Turqi dhe duke krijuar besim te i dëmtuari se ai kishte kompetencë dhe mundësi për të organizuar transplantimin e veshkës.

Ndërkohë, për një person tjetër të përfshirë në rast, i cili dyshohet se ishte paraqitur si dhurues i veshkës, Prokuroria ka bërë veçimin e procedurës penale.

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën akuzohen.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që V.H. dhe A.K. të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: