Mashtrime në emër të ndihmës, Policia apel qytetarëve: Kujdes ndaj kërkesave të tilla

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në ditët e fundit janë në rritje ankesa, ku qytetarë dhe biznese raportojnë raste të mashtrimit që kryhen në emër të ndihmës financiare për persona të tretë. Sipas deklarimeve të palëve të dëmtuara, Policia thotë se ka konstatuar se persona të panjohur, për momentin i kontaktojnë qytetarët…

Lajme

05/09/2025 12:12

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në ditët e fundit janë në rritje ankesa, ku qytetarë dhe biznese raportojnë raste të mashtrimit që kryhen në emër të ndihmës financiare për persona të tretë.

Sipas deklarimeve të palëve të dëmtuara, Policia thotë se ka konstatuar se persona të panjohur, për momentin i kontaktojnë qytetarët përmes telefonit, duke përdorur aplikacione si Viber, WhatsApp e platforma të tjera, me numra telefonikë nga shtete fqinje (Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi), dhe kërkojnë ndihmë financiare në emër të personave të tretë.

“Ata udhëzojnë që mjetet financiare të dërgohen përmes filialeve të Western Union, MoneyGram dhe të ngjashëm”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së.

Sipas policisë, më vonë, palët e dëmtuara kuptojnë se mjetet nuk janë përdorur për qëllime ndihme, por për përfitime personale të individëve të dyshuar.

Bazuar në këto rrethana, Policia ka bërë apel te qytetarët dhe bizneset që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj kërkesave të tilla, pasi hetimet e deritanishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.