MAShTI tërheq 16 licenca të mësimdhënësve, Nagavci: Ligji dhe standardet në arsim nuk negociohen
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë dhe garantimit të standardeve profesionale në sistemin arsimor. Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbeten mekanizma thelbësorë për sigurimin e cilësisë…
Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë dhe garantimit të standardeve profesionale në sistemin arsimor.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbeten mekanizma thelbësorë për sigurimin e cilësisë në arsim. Ajo ka theksuar se gjatë këtij mandati janë miratuar legjislacioni dhe udhëzimet e nevojshme, si dhe janë zhvilluar takime nëpër komuna për të siguruar që ky proces të realizohet me transparencë dhe në përputhje me standardet profesionale, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, vendimi për tërheqjen e licencave është marrë pas një inspektimi tematik të kryer nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë në Rahovec, ku janë konstatuar shkelje dhe mospërfillje e procedurave ligjore. Bazuar në gjetjet e raportit, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore. Raporti me gjetje i është përcjellë paraprakisht edhe Komunës së Rahovecit.
Në këtë proces ka vepruar edhe Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, duke ushtruar kompetencat e tij ligjore në përputhje me procedurat në fuqi.
Nagavci ka theksuar se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore, duke shtuar se MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast të shkeljes.
“Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi. Ne mbesim të përkushtuar për një arsim cilësor dhe me standarde”, ka theksuar ministrja në detyrë./lajmi.net/