MAShTI reagon pas raportimeve për aktakuzë ndaj 12 zyrtarëve: Nuk kemi pranuar njoftim zyrtar
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se më 31 dhjetor 2025 është njoftuar përmes raportimeve mediatike lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 zyrtarëve të saj, por thekson se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente…
Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se më 31 dhjetor 2025 është njoftuar përmes raportimeve mediatike lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 zyrtarëve të saj, por thekson se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente për këtë çështje.
Në reagimin e saj, MAShTI shpreh respekt për punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe thekson se do të jetë e hapur dhe transparente për çdo zhvillim zyrtar, raproton lajmi.net
Njëkohësisht, ministria nënvizon rëndësinë e respektimit të parimit të pafajësisë, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
MAShTI vlerëson edhe rolin e mediave në informimin e publikut, duke inkurajuar raportim të saktë, të bazuar në fakte dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë. Sipas ministrisë, interpretimet e pasakta apo përgjithësuese mund të çojnë në keqinformim të opinionit publik, të dëmtojnë procesin gjyqësor dhe të cenojnë integritetin institucional.
Po ashtu, ministria kërkon që gjatë raportimit të respektohet e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave të ndjeshme, në përputhje me ligjin përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale.
MAShTI thekson se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës institucionale dhe llogaridhënies, në funksion të informimit të drejtë dhe korrekt të publikut./Lajmi.net/