MASHTI: Emërimi i Meliza Krasniqit në pozitën e u.d. drejtoreshës së Institutit Albanologjik, juridikisht i pavlefshëm
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e ka konsideruar të pavlefshëm juridikisht emërimin e Meliza Krasniqit (bashkëshortja e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi) në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës të Institutit Albanologjik në Prishtinë. Sipas një komunikate të MAShTI-t, Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik ka ndërmarrë një vendim për emërimin e…

Lajme
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e ka konsideruar të pavlefshëm juridikisht emërimin e Meliza Krasniqit (bashkëshortja e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi) në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës të Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Sipas një komunikate të MAShTI-t, Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik ka ndërmarrë një vendim për emërimin e u.d. drejtorit, mirëpo në atë mbledhje kanë qenë të pranishëm vetëm tre nga pesë anëtarët, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm prej katër anëtarësh, siç kërkohet me rregulloren e punës së këtij organi.
“Çdo vendim i marrë në këtë rrethanë është juridikisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim me rregulloren në fuqi”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
MAShTI thekson se Instituti Albanologjik, si një institucion me rëndësi të veçantë kombëtare, nuk mund të shndërrohet në platformë për emërime të paligjshme apo për interesa personale e politike, dhe se integriteti i tij duhet të garantohet përmes respektimit të standardeve akademike dhe ligjore.
Ministria kritikon gjithashtu zvarritjen mbi njëvjeçare të procesit për shpalljen e konkursit për drejtor të rregullt të institutit.
“Kjo vonesë është e pajustifikueshme dhe Ministria, përmes Zyrës Ligjore, do ta trajtojë çështjen, duke ndërmarrë të gjitha veprimet për kthimin e ligjshmërisë”, thekson MAShTI.
Në fund të reagimit, MAShTI u bën thirrje të gjithë anëtarëve të komunitetit akademik dhe publikut që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave akademike dhe të rendit ligjor, duke nënvizuar përkushtimin e saj për funksionim transparent dhe ligjshmëri në institucionet arsimore dhe shkencore.