MASHT-i kërcënon e SBASHK-u nuk tërhiqet, s’dihet kur përfundon viti shkollor
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe mësimdhënësit nuk janë pajtuar sa i përket datës se kur do të përfundoj procesi mësimor për këtë vit shkollor.

Lajme
Greva e mësimdhënësve e solli edhe një krizë tjetër në arsim – ku MASHT-i dhe SBASHK-u i ndanë rrugët e mirëkuptimit me njëra-tjetrën, shkruan lajmi.net.
Kërkesat e mësimdhënësve u plotësuan – orët nuk po kompensohen, MASHT-i po kërcënon më ndëshkime e SBASHK-u po thonë kategorikisht se nuk do të ketë kompensim të orëve.
Sot, ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi është shprehur se do të merren masa ndaj të gjithë atyre që nuk e kanë respektuar vendimin për kompensimin e orëve të grevës.
Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj për lajmi.net është shprehur se situatës nuk i kontribuojnë kërcënime të tilla.
Ai tha se vendimi i SBASHK-ut është i njëjtë dhe nuk do të ndryshohet – duke shtuar se institucionet e dinë se nuk do të ketë kompensim të orëve.
“Nuk është koha as situata që ministri të dalë me kërcënime të tilla, më mirë do të ishte të ulen tensionet dhe të bisedonim në lidhje me vitin e ri shkollor, pasi ky vit po shihet.
Vendimi i këshillit drejtues të SBASHK-ut është i njëjtë, shumica e mësimdhënësve e kanë respektuar zërin e vet të artikuluar përmes SBASHK-ut, opinioni dhe mediat e dinë se SBASHK-u ka thënë se nuk do të ketë kompensim të orëve dhe kjo është thënë vazhdimisht dhe ata e kanë ditur se kompensim të orëve nuk do të ketë”, tha Jasharaj për lajmi.net
Ai është shprehur se i kanë dhënë mundësi MASHT-it me kërkesën e tyre për korrigjimin e koeficienteve për mësimdhënësit e klasave 1 deri në 5, por pas mosplotësimit të kësaj kërkese, vendimi për orët e grevës ka mbetur i njëjtë.
“Po ashtu mediat e dinë se ka qenë mundësia që nëse mblidhen nënshkrimet me iniciativën e Komisionit për Arsim dhe ministrit Bytyqi që të korrigjohen i koeficientit të mësimdhënësve të klasave 1-5, sekretarëve, pedagogëve, atëherë ne do të bisedonim me mësimdhënësit që si shenjë respektimi ndaj kolegëve të tyre të kompensohen orët e humbura, mirëpo kjo nuk ndodhi dhe mbeti vendimi që mësimi të përfundoj me 21 qershor”, tha Jasharaj.
Ai në fund ka shtuar se është mirë që SBASHK-u dhe MASHT-i të ulen së bashku dhe të diskutojnë për vitin e ardhshëm shkollor dhe se me kërcënime nuk zgjidhet asgjë.
Ministri Bytyqi është më mirë të ulet me neve dhe të diskutojmë se çfarë do të ndodh në vitin tjetër dhe mos të kemi përplasje dhe nësë ai vazhdon me kërcënime për ndëshkim nuk do të ketë sukses, sepse kjo është e rregulluar me ligjin për grevat.
Kjo situatë ka vazhduar që nga ndërprerja e grevës kur mësimdhënësit refuzuan vendimin e SBASHK-ut për kompensim të orëve, duke u mbështetur në ligjin për grevat.
Kjo temë shkoi edhe në Gjykatë nga SBASHK-u, ku u tha se do të respektohej vendimi i gjykatës.
Gjykata vendosi për kompensim e kjo nuk u respektua nga SBASHK-u me pretendimet se në vendimin e gjykatës ka pasur ndikime politike.
Tash edhe pas sa muajsh po vazhdon ‘telenovela’ SBASHK – MASHT ende nuk ka përfunduar. /Lajmi.net/