MASHT dakordohet me Qeverinë: Mësimdhënësve u paguhet përvoja me pagat e prillit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) njofton se sot është takuar me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami, atë të Financave Avdullah Hoti dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagxhillar.

Lajme

24/04/2015 12:35

Sipas njoftimit të SBASHK-ut, bëhet e ditur se nga ky takim ka rezultuar se 0.5 përqindëshi i përvojës së punës për mësimdhënësit do të zbatohet nga pagat e muajit prill.

Përfaqësues të SBASHK-ut thonë se në bazë të kësaj marrëveshje, nënkuptohet se për momentin nuk ka arsye që të ketë ndonjë veprim sindikal.

SBASHK konsideron se kjo është një arritje e angazhimit të përbashkët të SBASHK-ut, MASHT-it dhe Qeverisë së Kosovës në përgjithësi.

Këta sindikalist po ashtu kërkojnë mirëkuptim nga të punësuarit në arsimin e Kosovës, për arsye të numrit të madh të të punësuarve në këtë sektor dhe procedurës së procedimit të të dhënave , eventualisht, mund të vonohen për pak ditë listat dhe pagat.

Muajve të fundit, SBASHK ka organizuar greva duke bojkotuar mësimin për shkak të kërkesës që t’u paguhet përvoja e punës mësimdhënësve.