MASH-i pranon 215 tabletë nga OSBE-ja

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka pranuar sot 215 tabletë nga OSBE-ja, të cilët do të shpërndahen për fëmijët që nuk kanë pasur mundësi të vijojnë mësimin online, me fokus fëmijët e komuniteteve.

Lajme

19/10/2020 14:02

Me rastin e pranimit të këtyre tabletëve, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, tha se nga kjo ndihmë përmirësohet qasja e fëmijëve në mësim gjatë pandemisë COVID-19.

Ai tha se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit është bërë identifikimi se si do të shpërndahen këta tabletë, ku tha se ndër komunat që do të përfitojnë janë ajo e Obiliqit dhe e Fushë Kosovës.

Ministri Likaj tha se miliona euro janë investuar nga Qeveria e Kosovës dhe partnerët për pajisje të teknologjisë informative.

“Kjo është një ndihmë pas thirrjes që i kemi bërë ne OSBE-së dhe organizatave të tjera partnerë dhe donator për të na ndihmuar me pajisje për 9 mijë e 700 nxënës për t’iu siguruar qasje, sidomos këtyre grupeve që janë në gjendje më të vështirë sociale ekonomike, grupeve të margjinalizuara, përfshi të gjitha komunitetet në Kosovë, po edhe fëmijët me nevoja të veçanta. Ne e kemi bërë planin ku do të shpërndahen, kryesisht ku janë rastet më emergjente për shembull një prej tyre është Komuna e Obiliqit, Fushë Kosovës që kanë numër më të madh të nxënësve që janë në vështirësi sociale, po edhe grupe të margjinalizuara. Por, do të shpërndajmë edhe në disa komuna të tjera. Ne presim shumë shpejt edhe rreth 7 mijë pajisje që do të vijnë në kuadër të projektit që janë të financuar nga vet qeveria e Kosovës dhe MASH shpejt që t’i shpërndajmë nëpër shkolla në bazuar në listave që kanë ardhur nga DKA”, tha ai.

Ai tha se së bashku me OSBE kanë finalizuar një program tre vjeçar për bashkëpunim, për përmirësim të mëtutjeshëm të kushteve për anëtarët e komuniteteve jo shumicë në Kosovë, ku tha se ky program përfshin libra shkollor, literaturë dhe të tjera.

Po ashtu, ai bëri të ditur se OSBE e ka nisur një projekt që quhet “Menaxhimi i stresit të studentët gjatë pandemisë” dhe 540 mësimdhënës janë të përfshirë në këtë program dhe janë të përfshirë edhe në trajnime të psikologjisë dhe pedagogjisë.

Ndërsa, ambasadori i OSBE-së Jan Braathu, tha se pandemia COVID-19 ka ndryshuar mënyrën e të punuarit dhe të funksionuarit, për çka tha se puna nga shtëpia po bëhet një realitet i ri.

Ai tha se si pasojë e pandemisë shkollat janë mbyllur në gjithë botën dhe mund të mbyllen prapë varësisht nga situata epidemiologjike. E për këtë tha se po shikohet kalimi në platforma të teknologjisë informative, por që u shpreh se shumë familje nuk i kanë mjetet për t’iu siguruar fëmijëve të tyre pajisje teknologjike.

“Sot si OSBE po reagojmë ndaj kësaj thirrje të qeverisë, po përgjigjemi përmes një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse nga ministria, nga OSBE-ja dhe të tjerët po mbështesim të gjitha komunitetet pavarësisht nga mosha, gjinia, të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë duke dhënë donacion 215 tabletë. U ndihmojmë studentëve që të arsimohen edhe nga vendet e largëta për shkak të rrethanave që na janë sjell nga COVID-19. Mesazhi është që kjo është përpjekje e përbashkët, është shprehje e solidaritetit si reagim ndaj ndikimit të COVID-19 për ata që kanë më së shumti nevojë. Është hap i vogël, 215 tabletë nuk është numër i madh, por vetëm për kaq mund të gjenim buxhet për momentin, por është një shenjë e solidaritetit, e vullnetit tonë për të mbështetur qasjen e barabartë për të gjithë në Kosovë, është shenjë e reagimit të OSBE-së ndaj thirrjes për ndihmë të ministrit Likaj dhe institucioneve tjera”, tha ai. /KP