Masat të kundërligjshme – bizneset thonë se padituria e arroganca e institucioneve e ka rënduar situatën

Lajme

25/01/2022 08:47

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica tha se masat e marra së fundi nga Qeveria bien ndesh me Ligjin për parandalimin e Covid-19, ngase nuk është konsultuar një institucion kredibil si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

Sipas tij, edhe kërkesat e tyre janë në bazuara në referenca shkencore dhe se padituria dhe arroganca e institucioneve po e rëndon gjendjen në vend.

“Bien ndesh pikërisht me Ligjin për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë Covid-19, specifikisht me paragrafin e 4 të nenit të 8 të këtij ligji sepse nuk po konsultohen institucionet kredibile e veçanërisht OBSh-ja si institucion, i cili jep shumë udhëzime që nuk po përfillen nga Qeveria e Kosovës.Kërkesat dhe sugjerimet tona kanë qenë mbi të gjitha në referenca shkencore. Kjo padituri dhe kjo arrogancë e dërgojë Kosovën në një situatë shumë të rëndë”.

Vranica thotë se fajtor për rritjen e numrit të rasteve nuk është sektori i gastronomisë, por moskontrolli i kufijve edhe personave që hyjnë në Kosovë.Ai thotë se duhet të merren shembull shteti si Franca e Britania e Madhe që kanë liberalizuar ekonominë.Vranica ka shtuar se nuk janë të interesuar të konfrontohen me Qeverinë, por që presioni i tyre nuk do të ndalet.

“Na kujtohet sezoni i verës kur u hapën klubet e natës dhe sallat e dasmave u bë një kaos i jashtëzakonshëm shoqëror, kinse gastronomia po i rrit rastet. Nuk është e vërtetë sepse së pari variantet e reja më së shumti vijnë si pasojë e moskontrollimit ndërkufitar të personave që futen nga jashtë territori i Kosovës.Kanë marrë masa shumë të ashpra pa nevojë. Kemi pa edhe deklaratën e kryeministrit të Spanjës, Pedro Markez dhe vendimin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson të cilët po e liberalizojnë ekonominë si pasojë e fatalitetit të ulët të variantit Omicron. Më shumë jemi të interesuar t’i ndihmojmë Qeverisë se sa me u konfrontuar”.