Masa shtesë të policisë serbe, arsye ngjarja në Kumanovë

Policët kujdestar në rajonin e Nishit të cilët, deri më tani kishin bartur në brez revole, thuhet se i kanë zëvendësuar ato me pushkë automatike të bazuara në modelin Kallashnikov, shkruan “Juzne Vesti”.

Lajme

24/06/2015 14:37

Ky fakt i ka befasuar disa qytetarë, kurse në policinë e Nishit shpjegojnë se në gjithë vendin janë rritur masat e sigurisë “për shkak të ngjarjeve të fundit në Kumanovë”, duke shtuar se nuk ka arsye për frikë.

Shumë qytetarë u janë drejtuar autoriteteve me pyetjet se pse policia këto ditë “është armatosur deri në dhëmbë”, dhe se a kanë arsye të frikësohen për sigurinë e tyre.

“Në disa pjesë të qytetit kam parë policë duke bartur në shpinë pushkë automatike. Në momentin kur i sheh të armatosur deri në dhëmbë, e kupton se siguria jonë edhe në rrezik”, ka deklaruar një qytetar i shqetësuar nga Nishi, transmeton lajmi.net.

Ndërkaq, komandanti i policisë së Nishit, Srgjan Grekulloviq, thotë se nuk ka arsye për panik.

Sipas Grekulloviqit, masat e sigurisë janë rritur për shkak të ngjarjeve të fundit në Kumanovë dhe ndonjë kërcënimi të mundshëm terrorist.