Marrëveshjet me Serbinë quhen të ‘ratifikuara’ për konsum të brendshëm
Qeveria e Kosovës, sipas analistëve është thirrur në ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme për vendin, qoftë Marrëveshja për Stabilizim –Asocim, dialogu me Serbinë dhe marrëveshja e fundit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Lajme
Por sipas tyre, spektri politikë, ka bërë lojë fjalësh kur ka përmendur fjalën ratifikim, pasi që Kosovën nuk e njeh as Serbia, por as Bashkimi Evropian.
Ratifikimi i marrëveshjeve është akti më i lartë pas arritjes së një marrëveshje të nënshkruar në mes dy palëve që e njohin njëra tjetrën.
Njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani ka thënë për Tribunën, se politikanët kosovarë e kanë përdorur fjalën ratifikim për konsum të brendshëm sepse në realitet kjo gjë nuk ka ndodhur.
Duke folur për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë, Ujkani ka thënë se Parlamenti i Kosovës ka bërë mirë që e ka ratifikuar një marrëveshje të tillë, por se të njëjtën gjë nuk e ka bërë Parlamenti i Serbisë.
“Në rastin konkret Kosovas, sipas BE-së, nuk është ende shtet në vete. Pesë shtetet anëtare të saj e kundërshtojnë fuqishëm çdo integrim të mundshëm të Kosovës në strukturat e saj. Prandaj kjo fjalia ratifikim që po e përdorin politikanët tanë mund të jetë për konsum të brendshëm ose lapsus profesional nga ana e tyre, por realisht këtu nuk kemi të bëjmë me kurrfarë ratifikimi të marrëveshjeve me BE-në”.
“Kuvendi i Kosovës nuk ka humbur asgjë që e ka ratifikuar marrëveshjen me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit. Por ai ratifikim nuk ka kurrfarë rëndësie sepse nuk është aprovuar si i tillë edhe nga ana e Kuvendit të Serbisë, pra në mes të këtyre bisedimeve si garanci e kemi vetëm Brukselin”, ka thënë Ujkani.
Edhe njohësi i çështjeve kushtetuese Riza Smaka është shprehur se nëse një marrëveshje nuk ratifikohet nga të dyja palët, atëherë ajo marrëveshje nuk mund të quhet e vlefshme
“Nëse shteti unë e ratifikon një marrëveshje të caktuar ndërsa pala tjetër shembull si Serbia apo Bashkimi Evropian nuk e ratifikon në parlament atëherë ajo marrëveshje është e pavlefshme, mund të quhet marrëveshje gojore ose mbështetje por jo ratifikim”, ka thënë Smaka.