Marrëveshje 37 milionë dollarëshe

Marrëveshja Bilaterale për Përmbushjen e Synimeve Zhvillimore, pritet t’i sjellë Kosovës rreth 37 milionë dollarë, fonde këto që do të përdoren për të mbështetur një sërë aktivitete të USAID’it në Kosovë.

Lajme

18/12/2013 17:26

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka nënshkruar sot një marrëveshje me Ambasadoren e SHBA’ve, Tracey Ann Jacobson dhe Drejtoreshën e Misionit të USAID’it në Kosovë, Maureen A.Shauket për Përmbushjen e Synimeve Zhvillimore.

Kjo marrëveshje ndihmon Kosovën me 37,432,028 dollarë, përmes një fondi që do t’i mbështesë aktivitetet e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të USAID’it në Kosovë.

Këto fonde do të investohen për të ndihmuar një sërë fushash, siç është ajo e sundimit të ligjit, aktiviteteve të qeverisjes, aktiviteteve për shtimin e investitorëve për të hapur vende të reja të punës.

Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e vazhdueshme të SHBA’ve ndaj shtetit të Kosovës, duke theksuar mbështetjen në sferën e sundimit të ligjit.

Jahjaga theksoi se është krenare për miqësinë e SHBA’së me Kosovën, dhe ky bashkëpunim i vazhdueshëm, sipas saj, është themel për ngritjen e kapaciteteve të Kosovës.