Marrëveshja s’është tradhti!

Marrëveshja e arritur në Bruksel për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është më e mira, por nuk e shkel kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

Opinion

27/08/2015 09:35

Asociacioni – do t’i dërgojë ministrit të Punëve të Brendshme emrat e komandantëve të policisë në komunat përkatëse; amendamentet e tij miratohen me dekret dhe shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; do të ketë të drejtë të ketë simbolet e tij zyrtare (stemën dhe flamurin), si dhe të ofrojë shërbime publike, në përputhje me Ligjet e Kosovës.

Pra, pran të gjitha pikave “të kuqe”, të cilat një pjesë e opozitës në Kosovë i konsideron edhe si “tradhti”, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu referohet ligjeve dhe institucioneve qendrore të Kosovës, dhe në rast nevoje, të ndonjë amendamenti apo keqinterpretimi të qëllimshëm nga ana e asociacionit, fjalën përfundimtare do ta ketë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Kur e kujton historinë, të bëmat dhe intrigat e Serbisë, marrëveshja e re për komunat me shumicë serbe, duket pak frikësuese për të ardhmen e Kosovës, integritetin e sovranitetin e saj, por ajo është brenda Pakos së Ahtisaarit. Dhe duket shqetësim i arsyeshëm kur të drejtat e pakicave në një shtet demokratik, në këtë rast, të drejtat që do të gëzojnë serbët e Kosovës, interpretohen e gjykohen si kompetenca ekzekutive.

Por, kjo marrëveshja është funksionale vetëm nëse respektohen, ashtu siç thuhet në dokument, ligjet dhe kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës; funksionale (nuk thuhet në dokument, por nënkuptohet) nëse shqiptarët në Serbi do të gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse serbët e Kosovës; dhe është jofunksionale, e ndoshta pikënisje e një konflikti apo lufte të re (nuk thuhet në dokument, por nënkuptohet), nëse serbët e Kosovës, të dirigjuar nga Serbia, do të tentojnë që këtë marrëveshje ta nxjerrin nga korniza e saj ligjore, të shpallin autonomi ose edhe pavarësi. Këtë nuk e di askush!

Beogradi zyrtar e di se e ardhmja e Serbisë kryesisht varet nga qasja ndaj pakicave dhe raportet me shtetet fqinje të saj. Serbisë i duhet ta kalojë “Kapitullin 35”, i cili ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe pastaj të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, për anëtarësim. Këto negociata me Brukselin nuk dihet se kur do të përfundojnë! Pas Kosovës do të vije Lugina, Vojvodina, Sanxhaku, kapituj të tjerë për Serbinë Evropiane, që nuk imponohen nga Prishtina zyrtare (edhe pse mund të ketë pak ndikim), por nga subjektet, nga demokracitë perëndimore, të cilat imponuan “Kapitullin 35”.

Edhe Prishtina zyrtare e di se e ardhmja e Kosovës Evropiane kryesisht varet prej klasës së saj politike, qeverisjes së mirë dhe përfilljes së agjendës së atyre që vulosën çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës (pa e mohuar kurrë gjakun e dëshmorëve dhe kontributin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës). Vendet që e ndihmuan Kosovën, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mendojnë ndryshe të ardhmen e saj, të drejtat e pakicave në shtetin e Kosovës (jo kopje të shtetit të Serbisë), ashtu sikurse e mendojnë ndryshe edhe të ardhmen dhe shtetin e Serbisë.

Sot shqiptarët e Kosovës do të donin të kishin shqiptar edhe shefin e Policisë në Zveçan, shqiptar edhe drejtorin komunal të Arsimit, edhe atë të Shëndetësisë. Dhe në rrethana normale kjo nuk do të ishte jonormale. Ndërsa serbët, edhe sot si atëherë, do të donin të mos ekzistonin fare shqiptarët. Këtë ëndërr mizore Serbia e ka dëshmuar disa herë këto 200 vjetët e fundit, me vrasje foshnjash dhe grash shtatzëna, me gjenocid ndaj popullit shqiptar (anise nuk është njohur ende nga bashkësia ndërkombëtare), derisa u ndal nga NATO më 1999.

Mirëpo, pas këtij vitit, gjithçka që ia mendojmë njëri-tjetrit si popuj, si shtete, janë vetëm dëshira e qëllime (shpeshherë jo të shëndosha), që nuk varen prej serbëve as shqiptarëve. Tash ka më shumë se dy palë në këtë proces, bëhen negociata, shpeshherë të dhimbshme, bëhet luftë diplomatike dhe gjeopolitike mes shqiptarëve dhe serbëve, mes Amerikës dhe Rusisë, Perëndimit e Lindjes. Dhe nëse si popull, si shqiptarë, punojmë të ndërtojmë shtet të mirëfilltë, demokratik, shtet të së drejtës, ku korrupsioni, krimi i organizuar, varfëria dhe ekstremizmi fetar nuk do të jenë brenga jonë kryesore, nuk do të ketë rrezik për të ardhmen e Republikës së Kosovës as nga kjo marrëveshje, as nga Serbia dhe as nga Lindja.

Unë vërtetë do të doja që Serbia të mos ishte Serbi, apo që Serbinë të mos e kishim shtet fqinj! Do të doja që në Kosovë të mos kishte asnjë serb, asnjë, përveç atij ambasadorit të tyre, të cilin do ta shpallja non-grata sapo të hapte gojën! Apo, do të doja sikur ta kishim fituar vet luftën, të mos shkruaja sot për këtë temë; që Kosova të kishte një klasë tjetër politike, sepse me siguri do të ishte më ndryshe. Por meqë nuk gjykohet kështu, sipas interesave personale, atëherë nuk mund të them dhe nuk mendoj se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është tradhti, por vlerësoj se nëse zbatohet, është mundësi për perspektivë evropiane, ndërsa interpretimi i saj prej kujtdo qoftë, me përjashtim të Gjykatës Kushtetuese, është vetëm një opinion.