Marrëveshja politike është zgjidhja – veproni! (Letër deputetëve si ish-deputet)
Një mandat deputeti nuk është as fillimi dhe as fundi i angazhimit tuaj. Të paktën, kështu unë e shoh aktivizimin publik. Dhe, jam i bindur se dimensionet e të shërbyerit për publikun janë shumë më të gjera dhe nuk kufizohen assesi në një synim krejtësisht afatshkurtër.
Lajme
Prandaj, mos e ngushtoni të tërën në një periudhë të ngushtë kohore. As në një kategorizim shprese në rrethana të pashpresa. Sepse, angazhimi për të mirën e publikut, për sigurinë nacionale, për qytetarinë aktive dhe për demokratizimin e shoqërisë nuk ndërlidhet me të qenit i bllokuar në ulësen e tashme në Kuvend – aq më pak në një Kuvend të bllokuar, po ashtu.
Dhe, ky angazhim nuk duhet të ketë afat skadimi. Asnjëherë.
Jeta politike partiake as nuk është e tëra dhe as nuk do të jetë ndonjëherë. Kur arsyeja shtetërore në veprimin tuaj është më e madhe sesa qëndrimi partiak, mos e bllokoni veten, mos e bllokoni rrugën e shtetit. E, rruga e shtetit nuk shkatërrohet nga tejkalimi i bllokadave, por përkundrazi.
Kështu, veproni. Sepse, veç ndërmarrja e hapit më përpara nuk ju lë të ktheheni mbrapa.
Status quo nuk besoj se do të duhej të ishte përgjigja juaj. Të paktën, tejkalimi i status quo-s së bllokadës nuk do të ishte ndonjë arritje e madhe, por veç nisje.
Në ulësen ku jeni, e për të cilën shumë prej jush ndoshta edhe keni objektiva më të mëdha, ta keni të qartë se publiku nuk ka pritje të mëdha.
Nëse ua thonë se jeni heronjtë e demokracisë me bllokadë, mos e merrni krejtësisht të mirëqenë. Sepse, kjo vërtetë është demokraci e bllokuar, madje në dimensione shumë më të gjera sesa kjo që po ndodh në Kuvend.
Por, e keni të qartë, besoj unë, sa poshtë kanë rënë pritjet e publikut nga ju.
Ndoshta asnjëherë më parë s’ka pasur pritje më të pakta.
Pothuajse të gjitha mund të përmblidhen me një fjali:
Themeloni institucionet, merruni vesh për t’ia nisur funksionimit!
Dhe, funksionimi i institucioneve është jo më pak se dimensioni bazik për përmirësimet dhe ndryshimet që shumë prej jush premtoni. Që disa prej jush synoni. Që pak prej jush besoni!
Funksionimi i institucioneve deri në atë nivel demokracie që është e mundshme të ndodhë në këtë periudhë jolehtë të parashikueshme si përnga sfidat, po ashtu edhe përnga kapacitetet apo edhe synimet e pazbuluara.
Kaq.
Nuk ka kushedi çfarë pritjesh.
Prandaj, kalojeni edhe këtë fazë.
Marrëveshja politike është zgjidhja.