Marrëveshja me Rusinë | Ukraina po kërkon takim Zelensky-Trump për të një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet kryesore
Kryeshefi i sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov, ka bërë të ditur se Kievi po punon intensivisht për të realizuar një vizitë të Presidentit Volodymyr Zelensky në Shtetet e Bashkuara “në datën më të afërt të përshtatshme” gjatë këtij muaji. Kjo vizitë pritet të shërbejë si një hap vendimtar në përpjekjet diplomatike për të avancuar një…
Bota
Kryeshefi i sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov, ka bërë të ditur se Kievi po punon intensivisht për të realizuar një vizitë të Presidentit Volodymyr Zelensky në Shtetet e Bashkuara “në datën më të afërt të përshtatshme” gjatë këtij muaji.
Kjo vizitë pritet të shërbejë si një hap vendimtar në përpjekjet diplomatike për të avancuar një marrëveshje të mundshme paqeje, transmeton lajmi.net.
Sipas Umerovit, bisedimet e mëparshme në Gjenevë kanë prodhuar “një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet kryesore të marrëveshjes së diskutuar” mes Ukrainës dhe SHBA-së. Ai theksoi se ekipi ukrainas “pret me padurim” organizimin e takimit Zelensky–Trump brenda këtij muaji, për të finalizuar pikat e mbetura të marrëveshjes. Ndërkohë, Uashingtoni nuk ka komentuar ende nëse një takim i tillë do të ndodhë.
Në një zhvillim paralel, Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, është takuar në Abu Dhabi me përfaqësues rusë, megjithëse identiteti i delegacionit të Moskës nuk është bërë i ditur. Zyrtarë amerikanë kanë sinjalizuar se marrëveshja e paqes është drejt përmbylljes, ndonëse ka detaje që ende kërkojnë harmonizim. Departamenti i Shtetit ka nënvizuar se për të finalizuar marrëveshjen do të nevojiten takime të nivelit më të lartë.
Megjithatë, dallimet mes qëndrimeve të Ukrainës dhe Rusisë mbeten të mëdha, dhe Kremlini nuk shihet i gatshëm të pranojë një formulë që do të ishte e pranueshme për Kievin. Në javët e fundit, propozimet e paraqitura në draftin amerikan janë kritikuar nga Kievi dhe disa kryeqytete evropiane si tepër të favorshme për Moskën. Alternativat e reja, të hartuara nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, përjashtojnë çdo njohje të territoreve të kontrolluara nga Rusia, parashikojnë një ushtri më të fuqishme ukrainase dhe lënë të hapur perspektivën e integrimit në NATO.
Fokusi tani mbetet tek vizita e mundshme e Zelenskyt në SHBA këtë javë, e cila shihet si moment kyç për të përcaktuar nëse palët do të mund të afrohen drejt një marrëveshjeje përfundimtare./lajmi.net/