Marrëveshja e fshehtë për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në Komunën e Lipjanit

Një varg dyshimesh mund të ngritën lidhur me kontratat e reja që Komuna e Lipjanit ka lidhur më 15 prill të këtij viti për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në territorin e saj.

Lajme

30/08/2021 12:42

“Mirëmbajtja e ndriçimit publik në qytet dhe fshatra Lot 1 zona Qendër, Lot 2 zona perëndimore, lot 3 zona lindore”, me numër të prokurimit 613-21-789-2-2-1. Kështu quhet tenderi, i cili është realizuar me procedurë të hapur, i vlerës së mesme, i ndarë në tri pjesë (lote) dhe ka validitet për 24 muaj, meqë është kontratë kornizë.

Në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës.

Si në asnjë rast tjetër deri më tani në ofertimet e prokurimit publik, kompanitë fituese të këtij tenderi kanë vendosur çmime të njëjta në 94 artikuj të vendosur në paramasë nga gjithsej 96 artikuj. Madje, asnjë nga çmimet e ofruara nuk janë as të përafërta në treg. Zyra e prokurimit ka mundur të aplikojë një nen të prokurimit publik ku do të mund të hidhte poshtë të gjitha ofertat, pasi në këtë rast kemi të bëjmë më çmime mashtruese dhe marrëveshje tre palëshe. Lidhja e kontratës ka lënë hapësirë për marrjen e veprimeve nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Si nisi procesi?

Njoftimi për kontratë është publikuarme datë 26.02.2021. Me datën 03.03.2021 Autoriteti Kontraktues ka bërë njoftim për korrigjimin e gabimeve në njoftimin e publikuar, ku shtoi se kriter për dhënie të kontratës duhet të jetë çmimi më i ulët i peshuar sipas rëndësisë: pjesa e parë çmimi i peshuar 50 për qind, pjesa e dytë çmimi i peshuar 30 për qind, pjesa e tretë çmimi i peshuar 20 për qind.

Kontratat janë kornizë për 24 muaj, vlera e parashikuar e kontratës është 120 mijë euro, për secilën pjesë nga 40 mijë euro.

Në tëtri kontratat, tek neni 3 “çmimet”, është parashikuar edhe devijimi i lejuar nga vlera totale indikative për 30 për qind.Kjo do të thotë se komuna mund të rrisë vlerën e kontratës për 30 për qind, mbi vlerën e parashikuar prej 120 mijë eurove. Mirëpo devijimi nuk lejohettek proceduratme poentim, çka do të thotë se veç 120 mijë euro mund të shpenzohen në këto lloje të kontratave.

Kompanitë fituese janë:

  • Lot1, NSH “M.V.Elektromontues”, me ofertë 52.50 euro.
  • Lot 2, “Anesi” shpk me ofertë 53.00 euro.
  • Lot 3, Gama Ing” shpk& “Monting” shpk me çmim 53.50 euro.

Pra, dallimi nëçmim është 1 euro në mes tëparit dhe të tretit dhe 50 centë në mes të dytit dhe të parit dhe 50 centë ne mes të dytit dhe të tretit.

Ndonëse kërkesat për paramasë kanë qenë të njëjta në tri lot, ku kanë qenë 96artikuj, shumica e kompanive të eliminuara kanë ofertuar me çmim të ndryshëm në tri pjesët, ndërsa kompanitë fituese kanë pasur çmim të njëjtë.

Emri i operatorëve dhe çmimi:

Emri i operatorit ekonomik LOT 1 LOT 2 LOT 3
“Rismont” 778, 55 853.00 807.90
“MB Group” 262.50 239.84 260.14
“Elektra –Mont ”& NTP “V3-ING” 61.22 43.97 34.02
“Termomontimi” 321.02 321.02 321.02
N.N.P “Ndriçimi” 140.48 130.76 130.06
“InlineEnginering” 237.35 200.37 153.92
“Anesi” 53.00 53.00 53.00
“Gama Ing”& “Monting” 53.50 53.50 53.50
NSH “M.V.Elektromontues” 52.50 52.50 52.50

 

Grupi i kompanive “Elektra –Mont” shpk& NTP “V3-ING, ofertën për lot 2 dhe lot 3 e ka pasur më të lirë se sa ofertat e kompanive fituese, për lot 2, ka ofruar çmim 43.97 euro, për lot 3 çmim prej 34.02. Por, ky konzorcium është eliminuar për disa arsye, në mesin e pikave të eliminimit ka qenë edhe “Oferta e juaj, në përputhje me nenin 61.4 është konsideruar si ofertë jo-normalisht e ulët”.  Ndërsa, ofertat tjera janë eliminuar më arsyen se nuk kanë qenë me çmimin më të ulët.

Ofertat tëpaprecedenta

Ne kemi shikuar të gjitha oferta e publikuara në E-prokurim që janë realizuara me poentim të çmimit dhe nuk kemi hasur në një rast të tillë sikurse të Lipjanit ku ofertuesit kanë çmime të njëjta në artikujt e njëjtë. Këtu nuk bëhet fjalë për rastësi, pasi që 94 artikujt e njëjtë kanë çmime të njëjta.

Në fakt, vetëm në dy raste ka dallime të çmimeve:

  • Pozicioni i nr. 6 “Furnzim më trafo për LED 50Wdhe montimi”, në kontratat për lot 1 dhe lot 2 kushton 24euro, në lot 3, kushton 25 euro.
  • Pozicioni i nr. 12 “Furnzim me qipa (Power-Led) -1W 1 LED me fuqi 50 W, 10W.150W dhe montimi”, në lot 1 ky pozicion kushton 9 euro, në lot 2 dhe 3 kushton 10 euro.

94 pozicionet tjera kanë çmim të njëjtë në ofertat e tre ofertuesve.

Kompania “Anesi”, ka ofertuar 83 produkte me nga 10 centë. Fiks 83 produkte tënjëjta, sikur të “Anesit”, me nga 10 centë i ka paraqitur edhe grupi “Gama Ing”& “Monting”. 83 artikujt komplet tënjëjtëme nga 10 centë, sikur dy ofertuesit paraprak, i ka paraqitur në ofertë edhe kompania  NSH. “M.V.R. Elektromontues”.

Ne kemi hulumtuar çmimet e tregut që janë aktuale në dyqanet që merren më shitjen e këtyre produkteve. Asnjë çmim i cili është vendosur në ofertë nga kompanitë nuk figuron sikurse në çmimin e tregut. Çmimet që janë vendosur me nga 10 centë, janë dhjetëra herë e në disa herë qindra herë më të larta në treg. Ndërkohë, çmimet tjera që janë vendosur nga kompanitë në ofertë mbi 10 centë, që janë në vlerë prej 3 eurove, 3.10 eurove, 2 eurove, 20- 25 euro, etj, në treg janë disa herë më të lira.

Ne po i përmendim disa raste të hulumtuara në dyqanet e Kosovës. Kompanitë kanë vendosur çmime prej 10 centë për pozicionet, tek pjesa e parë e paramasës: Pozicioni i parë: “Furnizimi dhe montimi i sferave ndriçuese 500-300-250”. Ne kemi shikuar në disa dyqane dhe mësuam se vetëm furnizimi me këtë produkt, pa montim kushton rreth 20 euro. 10 cent është vendosur nga tri kompanitë edhe për pozicionin 24: “Furnizimi dhe montimi me AES katërpolar, ndërprerës nga lidhja e shkurtër dhe mbingarkesa 63 A”. I njëjti kushton në dyqane rreth 80 euro. Pastaj pozicionet tjera që kushtojnë nga 10 centë pozicioni 25 “Furnizim dhe montim me AES katërpolar ,ndërprerës mbrojtës nga lidhja e shkurtë dhe mbingarkesa 80A”, në treg kushton 90 euro. Pozicioni 26, “Furnizim  dhe montim me AES katërpolar, ndërprerës mbrojtës nga lidhja e shkurtë dhe mbingarkesa 160 A” kushton 110 euro. Pozicioni 27 “Furnizimi i  fotoqelisëRelesAstrologjike si dhe montimi”, në treg kushton 75 euro. Pozicioni 38 “Furnizimi  dhe vendosja e kabllos për furnizimin e trupave ndriçuese NAYY (Al) 4x25mm² prej KKSH-SË, tokësore”, kushton 3.5 euro. Pozicioni 36 “Furnizimi i kabllos NAYY-AL-4x35mm²si dhe montimi i saj nga trafostacioni deri te ormani shpërndarës” kushton  4 euro, etj.

Po ashtu, edhe tek përshkrimi i çmimeve tek pjesa e dytë e paramasës,  ku këto pozicione janë paraqitur me nga 10 cent, në treg kanë çmim shumëfish më të lartë: pozicioni 1 “Makina për gjetjen e kabllos të dëmtuar në brendësi të tokës, pagesa në orë”në treg kushton 100 euro, pozicioni 2 “Furnizimi i kapakëve për shtyllat ndriçues me pjesë reduktuese me gjatësi H-9m, me bulona dhe montimi i  tyre” kushton 5 euro, pozicioni nr.3, “Furnizimi i kapakëve për shtyllat ndriçues me pjesë reduktuese gjatësi H-5 m , me bulona dhe montimi  i tyre”,  kushton 4,5 euro, pozicioni nr.5 kushton “Drejtimi i shtyllave ndriçues H-9 m,5m me pjesë reduktuese” kushton  20 euro, etj.

Ndërkohë, kompanitë kanë vendosur çmime të larta për të cilat dyshohet që edhe do tëbëhetporosia nga komuna. Çmimet e larta në proporcion me tregun janë:Tek pjesa e parë e paramasës: Në artikullin nr. 2 “Furnizimi dhe montimi Poç efecient CFL-65W. tip FS-T5-E 27-65W…” është vendosur çmime nga tri kompanitë 20 euro, kurse i njëjti kushton 6 euro. Dy kompanitë kanë vendosur çmim 24 euro dhe njëra 25 për artikullin “Furnizimi me trafo LED50 W dhe montimi”. Produkti i njëjtë vetëm për ta blerë kushton 6 deri në 10 euro. Tri kompanitë kanë vendosur çmim prej 10 eurove për artikullin “Furnizimi me cipa (powerled) 1 W 1ld me fuqi 50, 100, 150 W dhe montimi”, ky produkt kushton 3 euro. Po ashtu, 3 euro është vendosur çmimi për produktin “Furnizim i portollampave –fytave –E-27 dhe montimi i tyre”. Ky artikull kushton rreth 0.80 euro, derisa artikulli nr. 39 për të cilin është vendosur çmimi 3 euro, kushton 0.70 euro. Vetëm te artikulli nr. 2, “Furnizimi dhe montimi i trupave ndriçues LED 50 W” për të cilin kompanitë kanë vendosur çmim 30 euro, në treg kushton 50 euro.

Kompanitë janë në dijeni çka do të porosisë komuna

Disa nga artikujt janë të njëjtë, por u dallon vetëm fuqia, ose madhësia dhe janë vendosur si artikuj të veçantë. Nëse shikohen çmimet se si janë vendosur nga kompanitë për këta artikujt, shihet se kompanitë janë në dijenise çka do të kërkojë komuna për furnizim. Tri kompanitë kanë vendosur çmim prej 30 eurove për artikullin nr. 3 tek pjesa e parë e paramasës, i cili quhet “Furnizimi dhe montimi i trupave ndriçues LED 50 W me llup”. Për të njëjtin artikull, i cili është më i kushtueshëm,por  i cili e ka më të madhe fuqinë e rrymës, kanë vendosur çmim prej 10 centë. Pra, për artikullin e njëjtë me specifika të njëjta, por i cili nuk është trup ndriçues 50 W, por 100 W. Madje çmim prej 10 centë kanë vendosur edhe për artikullin e njëjtë që është më i kushtueshëm, “Furnizim dhe montimi i trupave ndriçues LED 150 W me llupë …”. Ky artikull në treg kushton mbi 100 euro.

Dy kompanitë kanë vendosur çmim prej 24 eurove dhe njëra 25 për artikullin “Furnizim me trafo për trupat LED 50 W dhe montimi”. Siç e kemi cekur më lart, ky artikull në treg kushton 6-10 euro. Por, çmim prej 10 centë është vendosur për trupat LEDmë të kushtueshëm “Furnizimi me trafo për trupat LED100W dhe montimi”, po ashtu me nga 10 centë është ofertuar edhe për trupat LED150W, që në treg kushtojnë 15-20 euro.

Komuna edhe kompanitë mbrojnë sekretin në mes vete

Për të gjitha këto ne kemi pyetur komunën e Lipjanit dhe tri kompanitë fituese, por asnjëra nga to nuk është përgjigjur deri më tani.

Në Komunën e Lipjanit, fillimisht kemi kërkuar qasje në dokumentet publike për të parë se cilët artikuj i ka porositur deri më tani, që nga hyrja në fuqi e kontratave. Zyrtarja për qasje në dokumente publike, ka thënë se menaxheri i kontratës për momentin nuk gjendet në komunë dhe se vjen në javën e ardhshme. Por, kanë kaluar disa ditë që prej kohës kur është kthyer në punë menaxheri, dhe komuna nuk ka ofruar qasje në këto të dhëna. Me këtë zyrtare kemi bërë disa komunikime me shkrim dhe nëpërmjet telefonit. Po ashtu, ne kemi dërguar pyetje dhe tek zyrtari për informim për të mësuar se si ka ndodhur që komisioni vlerësues ka shpallur fitues ofertat që në asnjë artikull nuk përmbajnë çmime të tregut, për më tepër janë oferta manipulative dhe se si ka ndodhur që të njëjtat të kishin çmime të njëjta, dhe disa pyetje tjera. Por, as zyrtari i informimit nuk ka kthyer përgjigje që disa javë deri më tani, ndonëse ka konfirmuar se i ka pranuar pyetjet. Për pyetjet e njëjta është në dijeni edhe Kryetari i Komunës së Lipjanit.

Ne kemi dërguar pyetje edhe në email adresat e tri kompanive fituese për të marrë një përgjigje nga to lidhur më çmimin e njëjtë të ofertave, por kompanitë nuk kanë kthyer përgjigje deri më tani.

KRPP bën me gisht nga AKK-ja, ose lë mundësinë e hapur për shkelje të ligjit

Ne kemi qenë fizikisht në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Pasi e kanë kuptuar natyrën e rastit, zyrtarët na kanë thënë se kjo situatë mund të shihet vetëm nëse ka atakim të nenit 61 të LPP-së, i cili ka të bëjë me “Çmim jonormalishttë ulët”. Ata kanë thënë se ‘marrëveshjet e fshehta’ -një procedurë e tillë nuk është e rregulluar me dispozita të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik dhe as me legjislacionin dytësor të nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj, pasi sipas tyre kjo bie në domenin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe se ata mund të ndërhyjnë në këtë rast.

Në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës kanë thënë se në lexim të parë kjo situatë ka të bëjë manipulim me oferta (bidrigging) që përcaktohet në nenin 4 të “LigjiNr. 03/L-229 Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Megjithëkëtë, nuk ka një nen të caktuar në këtë ligj që shprehimisht ka të bëjë me manipulimin e ofertave.

Neni 4 i ligjit flet për “Marrëveshjet e ndaluara”

“1. Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura ne mes te shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: 1.1. caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; 1.2. kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; 1.3. ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; 1.4. zbatojnë kushte të ndryshme për transanksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese; 1.5. kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave”, thuhet shprehimisht në nenin 4 të këtij ligji.

Procedimi i komunës në shpërputhje me LPP-në

Në rastin e vlerësimit të ofertave, ku më pas është lidhur kontratë më kompanitë, komuna ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, në këtë rast, konkretisht me nenin 61, që ka të bëjë me “çmimin jonormalisht i ulët”.

Kurdo që AK ka për qëllim të lidhë një “kontratë me çmime njësi”, në përputhje me nenin 56.15 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, në hapje publike të ofertave lexohet çmimi total i poentuar (peshuar) i cili shërben vetëm për qellim të vlerësimit të ofertave, ndërsa “Kontrata lidhet me çmime për njësi”, prandaj autoriteti kontraktues duhet t’i ekzaminojë me kujdes të shtuar çmimet për njësi dhe në rast se dyshon se tenderuesi ka ofruar çmime jo normalisht të ulëta në një apo më shumë artikuj/pozicione, duhet të veprojë në përputhje me nenin 61 të LPP-së dhe nenin 4 të Rregullave për çmime jo-normalisht të ulëta, i cili përcakton procedurat e shqyrtimit interpartes si në vijim:

4.2. Në rast se një tender (apo një pozicion i tenderit) duket të jetë abnormalisht i ulët, Autoriteti Kontraktues duhet të kërkoj me shkrimnga operatori ekonomik i cili ka dorëzuar tenderin që duket të jetë jo-normalisht i ultë, një deklaratë me shkrim e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevant të tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ultë duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja  “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht  të ulët”.

Ne kemi mësuar se komuna nuk ka kërkuar kurrfarë arsyetimime shkrim nga kompanitë për të arsyetuar çmimin e tyre, i cili thuajse në total ka qenë në vlerë prej 10 centëve edhe për aso artikujsh që në treg kushtojnë 100 euro. Ndërkohë, kujtojmë se njëra nga kompanitë eeliminuara gjatë vlerësimit të tenderit, siç e kemi cekur më lartë, është eliminuar edhe më arsyetimin se ka ofertuar çmim jo normalisht të ulët, ani pse të njëjës nuk i është kërkuar sqarime, komfor ligjit.

Kontrata të reja pa skaduar e vjetra

Kontratat e reja janë lidhur në mes komunës dhe kompanive pa skaduar të vjetrat. Madje, njëra nga kontratat që është lidhur në prill të këtij viti, i është dhënë kompanisë që kishte kontratë më komunën deri në tetor 2021.

Më 06.07.2018, AK –Komuna e Lipjanit kishte shpallur ‘njoftim për kontratë’ për tenderin “Mirëmbajtja investive e ndriçimit publik në qytet dhe fshatra”. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 120 mijë euro. Tenderi nuk ka qenë i ndarë në pjesë(lot). Sikurse edhe tash, tenderi ka qenë me poentim të çmimit. Komuna kishte pranuar 6 tender dhe kishte shpallur fitues kompaninë N.SH.  “M.V.R.ELEKTROMONTUES” më çmim prej 95.7 euro. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ka qenë në vlerë prej 1,572 euro. Ndryshe nga tash, ku janë vendosur 96 artikuj, në tenderin e kaluar tek paramasa janë kërkuar vetëm 90 artikuj.

Pas gjashtë ditëve pasi e kishte shpallur fitues kompaninë “M.V.R.ELEKTROMONTUES”, Komuna kishte publikuar njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit, vetëm me arsyetimin se “gjatë procedurës së publikimit respektivisht vlerësimit të tenderëve nuk janë respektuar rregullat e nenit 56.11”. Ky nen flet për ‘Dispozitat e Përgjithshme mbi Përzgjedhjen e Pjesëmarrësve dhe Dhënien e Kontratave’.

Më datë 27.08.2018, komuna kishte publikuar “njoftimin për kontratë’ për tenderin e njëjtë, me kërkesat e njëjta. Gjashtë kompani kishin paraqitur ofertat e tyre. Nëse vetëm para pak javësh kompania “M.V.R.ELEKTROMONTUES” kishte ofruar më çmim prej 95.7 euro, më pas oferta e saj ka qenë në vlerë prej 187.3 euro.

Pas 11 ditëve, komuna kishte shpallur fituesin, ku ishte përzgjedhur grupi i kompanive “ANESI” SH.P.K”; N.T.SH. “Elen”. Kontrata ishte nënshkruar përfundimisht më këtë grup të kompanive dhe ka pasur validitet 36 muaj, pasi ishte kontratë kornizë. Kontrata ka hyrë në fuqi më datë 09.10.2018 dhe përfundon më datë 04.10.2021”.

Me “Anesin”, komuna nënshkroi kontratë të re më 15 mars 2021, pa skaduar kontrata e parë.

Referuar kontratës sëvjetër të tetorit të vit 2018, ajo është ndërpre në mes palëve pa ndonjë arsyeje. Kjo ngase, me kontratë është shpërblyer i njëjti operator ekonomikë më pas.

Lidhja e kontratës së re pa skaduar e vjetra, tregon për keqplanifikim të komunës sa i përket tenderit të vitit 2018.

Kontratat publike kornizë implementohen me ‘vendosjen e porosive’ apo thirrje, p.sh, kurdo qëautoriteti kontraktues, tenton të blejë artikuj në bazë të kësaj kontrate, duhet që të dërgojë ‘porosi’ tek ofertuesi i shërbimeve, duke specifikuar listën me artikuj për furnizim dhe kryerje të shërbimeve me sasitë e tyre përkatëse. Ndërsa, sasitë, lista e çmimeve janë vetëm sasi indikative dhe nuk e detyrojnë AK-në të blejë ndonjë prej tyre. AK me të drejtën e tij mund të blejë më pak ose më shumë sasi se sa ato sasi të vlerësuara për artikull p.sh. brenda një pjesë të njëjtë. Ndërsa kryesi i shërbimeve nuk do të ketë të drejtën e kompensimit dhe nuk i lejohet të bëjë ndryshime të çmimeve të njësisë, p.sh në rast se AK vendosë të blejë më pak apo më shumë sasi se ato të parapara të specifikuara, ose në rast që AK vendos të mos blejë asgjë nga këto sasi për disa artikuj.

 

Ky artikull është botuar me mbështetje të Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Demokraci Plus.

/Autor: Mentor Buzhala/