Marrëveshja e Brukselit është e paqartë

Oliver Ivanovic thotë se marrëveshja e Brukselit është shkruar në atë mënyrë që po u mundëson Prishtinës dhe Beogradit ta interpretojnë atë sipas qejfit të tyre.

Lajme

09/01/2014 08:55

Në marrëveshjen e Brukselit ka shumë gjëra të cilat janë shkruar qëllimisht në mënyrë që të interpretohen ashtu si dëshiron secili, thotë lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanovic.

Sipas tij, formalisht është e vështirë që brenda një territori të aplikohen interpretime të ndryshme, madje edhe brenda të njëjtit komunitet, është shprehur ai

“Për shkak të mënyrës se si është shkruar, Marrëveshjen e Brukselit e interpreton secili sipas qejfit të vet, Beogradi në mënyrën e vet, Prishtina në të veten”, ka thënë Ivanovic në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve FoNet. Kjo është arsyeja pse, sipas tij, rezistenca ndaj kësaj marrëveshjeje ka qenë relativisht e vogël nga të dyja palët

Megjithatë, ai është shprehur se problemet janë shfaqur kur ka ardhur koha e implementimit të marrëveshjes, siç është rasti i sigurimeve të automjeteve.

I pyetur nëse në Bruksel janë arritur marrëveshje të ndryshme për serbët në Veri në krahasim me ato për serbët në jug të Kosovës, Ivanovic është përgjigjur se “nuk është fshehtësi që dikujt në qeverinë e Serbisë i pëlqen ideja e ndarjes” së Kosovës.

“Por, për fat të mirë, shumica është kundër këtyre vendimeve ‘të lehta’”, është shprehur ai.

Sipas Ivanovic, Bashkësia e Komunave Serbe ka një “formë të paqartë të organizimit” të cilën “secili e interpreton sipas qejfit të vet”.

“Kompetencat që kjo Bashkësi duhet t’i ketë do të definohen më vonë dhe për këtë duhet ët pajtohen Prishtina, Beogradi dhe Brukseli me pothuaj fuqi të njëjtë”, tha Ivanovic.