Mark Frroku ekstradohet nga Belgjika në Shqipëri

Belgjika ka sjellë në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë dosjen hetimore të drejtësisë belge në ngarkim të deputetit kristian-demokrat, Mark Frroku, i akuzuar për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti 16 vite më parë në Belgjikë.

Lajme

01/05/2015 14:09

Organi i akuzës konfirmon se pas letër-porosisë, autoritetet belge kanë sjellë në rrugë diplomatike 2500 faqe material hetimore në ngarkim të Frrokut, i akuzuar për vrasje të kryer në bashkëpunim pasditen e 5 marsit të 1999-s.

Më 28 mars, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Parlamentit autorizimin për arrestimin e Mark Frrokut, pasi sipas akuzës deputeti akuzohej nga autoritetet belge për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Kuvendi votoi më 2 prill pro kërkesës së organit të akuzës për arrestimin e tij, ndërsa zbatimi i urdhër-arrestit u bë në banesën e deputetit, ku ishte rikthyer menjëherë pasi mbajti një fjalim në seancën plenare dhe ku qëndronte në izolim.

Vetë Frroku e ka mohuar disa herë këtë akuzë, ndërsa me përkthimin e materialeve të mbërritura nga Belgjika prokuroria shqiptare pritet t’i komunikojë akuzën Frrokut e më pas t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për nisjen e procesit gjyqësorë në Shqipëri.

Aleksandër Kurti u qëllua për vdekje me thikë në një stacion metroje, “Gare du Midi”, në rrugën ‘Fonsny”. Autoritetet belge argumentojnë se në atë kohë deputeti kristian-demokrat përdorte një identitet tjetër, me emrin e një kosovari.

Ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë depozituar kallëzim penal ndaj tij për katër vepra penale “Refuzim për deklarim pasurie”, “Deklarim i rremë pasurie”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, transmeton Shekulli.