“Maratonë pune” për deputetët këtë të premte – Nga mbledhjet e komisioneve tek seanca e jashtëzakonshme për çmimet e naftës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës i pret një agjendë e dendur pune të premten, më 3 prill, me disa mbledhje komisionesh parlamentare dhe një seancë të jashtëzakonshme plenare. Dita nis me mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku do të raportojë Bordi i Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Në fokus të diskutimit…
Lajme
Deputetët e Kuvendit të Kosovës i pret një agjendë e dendur pune të premten, më 3 prill, me disa mbledhje komisionesh parlamentare dhe një seancë të jashtëzakonshme plenare.
Dita nis me mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku do të raportojë Bordi i Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Në fokus të diskutimit do të jenë tarifat e energjisë elektrike, bilanci energjetik për vitin 2026, si dhe çështje të tjera që lidhen me tregun e energjisë, transmeton lajmi.net.
Në të njëjtën kohë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë dhe pritet të miratojë planin e punës për sesionin pranveror të këtij viti.
Ndërkohë, gjatë paradites do të zhvillohen edhe disa mbledhje të tjera të rëndësishme.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut do të diskutojë lidhur me ekspoziten skandaloze të Shkëlzen Gashit që u financua nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të merret me draftplanin e punës për sesionin pranveror.
Po ashtu, Komisioni për Shëndetësi do të shqyrtojë fushëveprimin dhe planin e punës për periudhën në vijim.
Kulmi i ditës pritet të jetë në orën 11:00, kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë do të diskutohet propozim-rezoluta për rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik në vend./lajmi.net/