Maqedonia rrit nivelin e sigurisë pas sulmit ndaj Qeverisë
Policia po heton intensivisht sulmin me dy predha mbi godinën e qeverisë në Shkup mbrëmë vonë.
Lajme
Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska tha se hetimi po vazhdon dhe se mund të marrë më shumë kohë, për shkak të seriozitetit të rastit.
“Për momentin kemi mbetje të granatës që na tregon për kalibrin e saj. Arma me të cilën është shkrehur granata mund të jetë e ndryshme, por ne duhet të përcaktojmë me saktësi llojin e saj”, tha ministrja.
Ajo bëri me dije se është rritur shkalla e sigurisë për të gjithë institucionet qeveritare e të tjera me rëndësi vitale për shtetin.
Ministrja nuk pranoi të përgjigjet nëse në momentin e sulmit brenda godinës ndodheshin ministrat, ashtu siç rëndom ndodh të martave në mbrëmje, kur qeveria mban seancë.
Nw ndërkohë, qeveria maqedonase ende nuk është deklaruar në lidhje me incidentin.
Një vrimë e madhe në katin e dytë të objektit është prova që tregon për fuqinë e granatës.
Nga goditjet me predha nuk janë shkaktuar dëme në njerëz.