Maqedonci thotë se ushtria e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë do të zhvillojnë ushtrim të përbashkët

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se gjatë këtij viti do të zhvillohet një ushtrim i përbashkët ushtarak mes forcave të armatosura të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ushtrimi do të mbahet në Kroaci dhe vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit trilateral në fushën e mbrojtjes. Maqedonci, gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në…

Lajme

14/02/2026 22:24

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se gjatë këtij viti do të zhvillohet një ushtrim i përbashkët ushtarak mes forcave të armatosura të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Ushtrimi do të mbahet në Kroaci dhe vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit trilateral në fushën e mbrojtjes.

Maqedonci, gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tha se takimi i djeshëm me homologun kroat dhe atë shqiptar ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve të dakorduara më herët mes tri vendeve.

“Dje kishim takim të radhës me ministrin Pirro Vengo dhe ministrin Anushiq, takim që po bëhet në vazhdimësi në kuadër të bashkëpunimit që kemi me Republikën e Kroacisë dhe Republikën e Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Pra dihet që vitin e kaluar kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, një deklaratë të tri vendeve, pra një bashkëpunim trilateral në mes të tri vendeve për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Dje ishte pra një takim si vazhdim i këtij bashkëpunimi, ku normalisht u diskutuan shumë gjëra dhe u diskutuan shumë fusha ku do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha ministri për RTK.

“Dje ishte një takim si vazhdim i këtij bashkëpunimi. Vlerësuam lart takimin që patën shefat e mbrojtjes, ku u dakorduan edhe për një ushtrim të përbashkët mes tri ushtrive së shpejti në Kroaci.”