Maqedonci: Nga 16 dhjetori filloi punën stafi i ri i kuzhinierëve në FSK

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se nga data 16 dhjetor ka filluar punën stafi i ri i rekrutuar i kuzhinierëve profesional dhe teknik duke përmbyllur, siç tha, suksesshëm periudhën kalimtare të përgatitjes së ushqimit nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve Me këtë rast ai i ka falënderuar të gjithë ata…

Lajme

26/12/2024 17:01

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se nga data 16 dhjetor ka filluar punën stafi i ri i rekrutuar i kuzhinierëve profesional dhe teknik duke përmbyllur, siç tha, suksesshëm periudhën kalimtare të përgatitjes së ushqimit nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve

Me këtë rast ai i ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan vullnetarisht dhe mundësuan sipas tij që as edhe një ditë të mos ndërpritej shërbimi i ushqimit për pjesëtarët e ushtrisë.

“Gjersa në publik ngriheshin me apo pa vetëdije teori të ndryshme dhe shpërndaheshin dezinformata të dëmshme, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve ishin ata që vullnetarisht mundësuan që as edhe një ditë të mos ndërpritej shërbimi i ushqimit për pjesëtarët e ushtrisë sonë, gjersa po jetësohej koncepti i ri i shërbimit me ushqim. Shpirti atdhetar e kontributdhënës i tyre që shoqëroi çdo ditë nga tetori deri me datën 16 dhjetor të këtij viti është i paçmim, andaj jam tejet i lumtur që sot prita në ministri, Drejtorin e Qendrës së Studentëve – Ekrem Rudari, Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës – Ismail Dibrani, Drejtorin e Mensës – Fahri Osmani, si dhe njëzet e pesë vullnetarët, kuzhinierët dhe stafi mbështetës nga këto dy institucione. Falënderues ndaj secilit prej tyre që me punë përmbyllën suksesshëm këtë periudhë kalimtare, gjersa jam i ngazëllyer të jap lajmin se nga data 16 dhjetor ka filluar punën stafi i ri i rekrutuar i kuzhinierëve profesional dhe teknik”, ka shkruar ministri Maqedonci.

Ministri ka thënë se ngritja e kapaciteteve të vetë qëndrueshmërisë është faktor i rëndësishëm i sigurisë së një vendi.

“Pena, pushka, buka janë themelet e një shteti në çdo shoqëri, e po të tria këto elemente ruajnë balancën e ushtrisë profesionale. Ministria e Mbrojtjes kishte vizion të qartë që fundi i vitit 2024 do të shënonte fillimin e një etape të re, atë të ngritjes së kapaciteteve vetanake të resurseve humane profesionale për përgatitjen e ushqimit në kazermat e FSK-së”, ka shkruar më tej Maqedonci.