Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim anëtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s, të kryesuar nga admirali Giuseppe Cavo Dragone, si dhe kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, gjeneralin Sean Clancy.
Sipas një postimi të tij në Facebook, Maqedonci ka thënë se në takim janë diskutuar zhvillimet aktuale të sigurisë, avancimi i Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe roli i Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale.
Ai ka theksuar se integrimi euroatlantik mbetet synim i qartë strategjik i vendit.
“Synimi strategjik që Republika e Kosovës ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, është thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri gjithashtu ka nënvizuar se delegacioni është informuar për objektivat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme, të cilat përfshijnë zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, mbrojtjen gjithëpërfshirëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vetëqëndrueshmërinë.
Sipas tij, anëtarësimi në strukturat euroatlantike përbën një hap të domosdoshëm për paqe të qëndrueshme dhe forcim të arkitekturës së sigurisë në Evropë.
“Republika e Kosovës mbetet e vendosur të jetë një partner i besueshëm dhe kontribuues në sigurinë kolektive,” ka shtuar ai. /Lajmi.net/