​Mancini prezantohet te Italia: Ëndërroj ta fitoj Kupën e Botës

Roberto Mancini është prezantuar zyrtarisht si përzgjedhësi i ri i kombëtares së Italisë, duke e bërë të qartë se objektivi i tij kryesor është ta rikthejë “Azzurrin” në majat e futbollit botëror dhe të fitojë Kupën e Botës. Trajneri italian u paraqit para mediave në selinë e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) në Romë, së…

Sport

29/07/2026 13:48

Roberto Mancini është prezantuar zyrtarisht si përzgjedhësi i ri i kombëtares së Italisë, duke e bërë të qartë se objektivi i tij kryesor është ta rikthejë “Azzurrin” në majat e futbollit botëror dhe të fitojë Kupën e Botës.

Trajneri italian u paraqit para mediave në selinë e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) në Romë, së bashku me drejtorin teknik Claudio Ranieri. Të dy kanë nënshkruar kontrata deri në vitin 2030.

Në fjalën e tij, Mancini theksoi se rikthimi në krye të kombëtares ishte dëshira e tij e parë. “Kthimi në ekipin kombëtar ishte mendimi im i parë. Fitorja më e rëndësishme e karrierës sime ishte finalja e Kampionatit Evropian në Wembley. Tani ëndërroj për Kupën e Botës; do të doja ta fitoja atë”, deklaroi ai.

Trajneri 61-vjeçar pranoi se sfida më e madhe është rikthimi i besimit të tifozëve pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në tri edicione radhazi të Kupës së Botës. Sipas tij, futbolli italian duhet të investojë më shumë në zhvillimin e talenteve dhe t’i vendosë futbollistët e rinj në qendër të projektit për të rikthyer kombëtaren mes elitës botërore.

Edhe djali i tij, Andrea Mancini, tha se babai i tij është rikthyer me motivim të madh për të fituar Kupën e Botës dhe për të lënë pas polemikat që shoqëruan largimin e tij nga kombëtarja. “Ai dëshiron të fitojë Kupën e Botës. Gjithmonë e ka pasur këtë ide. Është e parakohshme të flasim për këtë, por ndonjëherë ëndrrat bëhen realitet”, u shpreh Andrea Mancini.

Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se FIGC pritet të emërojë edhe një koordinator për ekipet zinxhir, me Gianfranco Zolën dhe Giuseppe Bergomin që konsiderohen kandidatët kryesorë për këtë rol.