Manaj: Kushtetuesja të urdhërojë Deharin t’i rikthehet votimit të hapur

Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së seancës konstituive të datës 29 qershor dhe seancave pasuese, pas aktgjykimit të Kushtetueses më 26 qershor. Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar ka obliguar deputetët që të zgjedhin trupat e Kuvendit deri në datën 27 qershor, mirëpo nuk janë…

Lajme

04/07/2025 15:57

Lidhja Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së seancës konstituive të datës 29 qershor dhe seancave pasuese, pas aktgjykimit të Kushtetueses më 26 qershor.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar ka obliguar deputetët që të zgjedhin trupat e Kuvendit deri në datën 27 qershor, mirëpo nuk janë theksuar pasojat e një mosveprimi të tillë.

Mes tjerash, në aktgjykimin e Kushtetueses kërkohet nga partia e parë që në bashkëpunim dhe mirëbesim, të krijojë konsensus për zgjedhjen e të propozuarit të tyre për kryekuvendar. Ndërkaq, partitë parlamentare po shfaqin interpretime të ndryshme në lidhje me atë se a lejohet apo jo votimi i fshehtë i kryeparlamentarit.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, pasi dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese, akuzoi kryesuesin e seancës konstituive, deputetin Avni Dehari, dhe LVV-në se s’po respektojnë vendimin e Kushtetueses.

Ai tha se në aktgjykimin e 26 qershorit, ndalohet votimi i fshehtë i kryekuvendarit, derisa kryesuesi dhe LVV-ja po insistojnë për një gjë të tillë.

Manaj kërkoi nga Kushtetuesja vendimmarrje të shpejtë për këtë rast.

“Ju kemi adresuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive të datës 29 qershor 2025. Në vlerësimin tonë, vazhdimi i seancave konstituive nga kryesuesi i seancës është duke u bërë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe konstatimet e nxjerra në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, ne sot iu kemi adresuar me kërkesën që të sqarohen në mënyrë shteruese të gjitha normat kushtetuese dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit, në kuptim të vazhdimit të seancës së Kuvendit në pajtim me Kushtetutën. Kjo nënkupton që kryesuesi i seancës duhet të mbajë seancën në pajtim me rendin e ditës të përcaktuar në seancën e parë konstituive, e cila përcaktohet në mënyrë taksative. S’ka vullnet politik që mundet të ndryshojë rendin e ditës së seancës së Kuvendit… Kërkojmë me mirëkuptim nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajtojë sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të kthehet normaliteti në vend”, tha ai.

Duke folur për deklarimin e sotëm të presidentes, Vjosa Osmani, e cila tha se votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit lejohet, por se duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve për këtë procedurë të votimit, Manaj nuk u pajtua me një qëndrim të tillë.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar se votimi duhet të jetë i hapur dhe se kjo tani nuk është çështje e vullnetit politik, por çështje e përcaktuar në Kushtetutë dhe Rregullore të Kuvendit.

“Kjo është çështje e Gjykatës Kushtetuese dhe një nga pikat ka qenë edhe çështja e votimit të hapur. Ju e dini që Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar që duhet të respektohet rregullorja e Kuvendit dhe praktikat e mëhershme parlamentare. Të gjitha praktikat e mëhershme dihet se kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët janë zgjedhur në mënyrë të hapur… Nuk është çështje pajtimi. Nuk është çështje e vullnetit politik, por e Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit”, theksoi ai.

Manaj tha se s’ka kërkuar nga Kushtetuesja që të vendosë masë të përkohshme për seancën konstituive, derisa tha se kjo mbetet në diskrecionin e vet Kushtetueses.

Në lidhje me seancat konstituive pas aktgjykimit të Kushtetueses, të enjten edhe PDK-ja, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.