Maloku vazhdon dëshminë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Edhe sot dëshminë e tij do ta vazhdoim ish-eprori i UÇK-së, Naim Maloku. Maloku, dëshmitari 124 i Prokurorisë, dje ka theksuar se arsyeja pse ai…

Lajme

26/03/2025 08:26

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Edhe sot dëshminë e tij do ta vazhdoim ish-eprori i UÇK-së, Naim Maloku.

Maloku, dëshmitari 124 i Prokurorisë, dje ka theksuar se arsyeja pse ai u kthye nga Sllovenia në Kosovë, ishte që të aftësojë, këshillojë dhe komandojë me ushtarët e UÇK-së.

Gjatë dëshmisë, Maloku u pyet për takimet me Hashim Thaçin gjatë 98-s në Kosovë.

“Ju përmendët se keni takuar Hashim Thaçin për herë të parë në Prapaqan në gusht të 98-ës. Kjo është e vetmja herë kur jeni takuar me Thaçin në gusht 98-ës?”, pyeti prokurori James Pace.

“Kjo është e para herë që jam takuar”, tha Naim Maloku, ish-komandant i UÇK-së.

“Hashim Thaçi a tha ndonjë gjë lidhur me këtë temë, që tha komandant Kumanova sa i takon organizimit të pozicioneve mbrojtëse apo jo?”, pyeti sërish prokurori.

“Nga tri herët që jam takuar me Thaçin gjatë luftës në Kosovë, është e vetmja herë që Hashim Thaçi ka fol, në të dy herët tjera, në Prapaqan dhe pastaj në Lladrovc s’ka fol, aty e ka pas më kujtohet intervistën time me ‘Kombin’ dhe ka thanë që kam thënë shumë fjalë të mira në të, pra më ka lavdëruar që shumë gjëra të mira kam thënë në intervistë, por që për disa gjëra nuk pajtohet me mua, por nuk i ka cek cilat”, shtoi Maloku.

Dëshmitari ka folur edhe për dorëzimin e armës në mënyrë vullnetare, para se të vinte urdhri nga larg. Kurse me pyetjet e prokurorit pati pakënaqësi mbrojtja e Thaçit.

Maloku gjatë dëshmisë ka thënë se Hashim Thaçi në dhjetor të 1998-ës është emëruar drejtor i Drejtorisë Politike në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Dëshmitari ka deklaruar se ka pasur diskutime në gusht të 1998-ës lidhur me personin që do të përfaqësonte shqiptarët e Kosovës në marrëveshjen me Sllobodan Millosheviqin.

Ai ka thënë se Hashim Thaçi gjithmonë ka pasur mirësjellje ndaj tij gjatë takimeve.

“Nuk kam vërejtur që ka ndonjë mendim jorespektues ndaj meje apo ndonjë qëndrim”, ka thënë Maloku.

Maloku ka deklaruar se deri me nënshkrimin e marrëveshjes për kalimin e UÇK-së në TMK, deri në atë ditë ka qenë këshilltar i Thaçit.