Maloku: Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së, për dy muaj pati shtesë funksionin e zëvendëskomandantit

Dëshmitari Naim Maloku deklaroi në Hagë se në Shtabin e Përgjithshëm, roli i Jakup Krasniqit ka qenë si zëdhënës i UÇK-së dhe ka se mundur të jetë edhe shef i Drejtorisë për Informim. “Jakup Krasniqi ishte zëdhënësi i UÇK-së dhe ka mujt me qenë shef i Drejtorisë për Informim në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së”,…

Lajme

26/03/2025 13:32

Dëshmitari Naim Maloku deklaroi në Hagë se në Shtabin e Përgjithshëm, roli i Jakup Krasniqit ka qenë si zëdhënës i UÇK-së dhe ka se mundur të jetë edhe shef i Drejtorisë për Informim.

“Jakup Krasniqi ishte zëdhënësi i UÇK-së dhe ka mujt me qenë shef i Drejtorisë për Informim në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së”, tha Maloku.

Këtë deklarim, ai e bëri derisa po merrej në pyetje nga mbrojtësja e Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra e cila u fokusua tek koha që Maloku kishte kaluar në Divjakë.

Maloku tha se çështjet operative që binin mbi Shtabin, i përkisnin kryesisht Drejtorisë Operative dhe jo drejtorive të tjera.

Për Krasniqin, Maloku tha se funksionin e zëdhënësit e ka pasur tërë kohën dhe vetëm për dy muaj e ka kryer funksionin shtesë të zëvendëskomandantit të UÇK-së.

“Për shkak të rregullave procedurale që ne oficerët mendonim që duhet, iu ka dhënë atij për shkak që ishte aty. E kam shpjegu se për çfarë arsye e ka pas atë funksion shtesë”, tha Maloku.

Dëshmitari pohoi për Krasniqin se detyrë e tij ishte që ta prezantonte UÇK-në si një ushtri me strukturë të rregullt.

Maloku tha se pjesë e rëndësishme e luftës është propaganda dhe secila ushtri punon për ngritjen e imazhit të saj ngjashëm qysh ka bërë UÇK-ja, sidomos në periudhën kur misionet vëzhguese ishin në Kosovë, për t’u paraqitur si ushtri e rregullt.

“Zoti Krasniqi nuk e ka kry sa duhet një detyrë të tillë për shkak se është dashur të mbaheshin takime me gazetarë të paktën tri herë në javë… është vlerësim i imi se ka pas mangësi. Por, kjo ka qenë detyrë e Krasniqit. Detyrë e tij ka qenë ngritja e qendrave për informim të UÇK-së, të cilat i ka ngritë vetë Krasniqi”, tha Maloku./BetimipërDrejtësi