Malisheva 4 milion euro për investime kapitale
Komuna e Malishevës gjatë këtij viti pritet të investojë rreth katër milionë euro në infrastrukturë, arsim dhe në përmirësimin e shërbimeve administrative dhe në fushatën kundër etheve hemorragjike .

Lajme
Komuna e Malishevës ka bërë gati rreth 4 milionë euro për investime kapitale brenda vitit 2014.
Sipas zyrtarëve të kësaj komune prioritet pritet të jenë investimet në rregullimin e infrastrukturës, investimet në arsim, përmirësimi i shërbimeve administrative, mirëmbajtja e mjedisit dhe një fushatë kundër etheve hemorragjike, problem me të cilin komuna e Malishevës përballet tash e disa vjet, raporton Zëri.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, ka thënë se Komuna ka bërë gati 4 milion euro për investime kapitale.
“Fondi i paraparë, parashihet të shpenzohet për ndërtimin e pesë shkollave, pastaj rregullimin e infrastrukturës si dhe një pjesë edhe për fushatën kundër etheve hemorragjike”.
Zyrtarët e Malishevës, përfshirë edhe të parin e Komunës Ragip Begajn, kanë organizuar disa takime me banorë të fshatrave për t`I njohur ata me planet e institucioneve komunale për strategjinë e masave mbrojtëse kundër rriqrave.