Maliqi: Prishtina ka nevojë për polici komunale, jo vetëm premtime për xhandarmëri
Opinionisti Agon Maliqi ka reaguar pas paralajmërimeve të pushtetit për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, duke thënë se çështja e nevojës për një forcë të tillë duhet të vlerësohet nga ekspertët e sigurisë. Përmes një postimi publik, Maliqi ka theksuar se, sipas tij, qytetarët e Prishtinë kanë nevojë urgjente për polici komunale, e cila do…
Lajme
Opinionisti Agon Maliqi ka reaguar pas paralajmërimeve të pushtetit për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, duke thënë se çështja e nevojës për një forcë të tillë duhet të vlerësohet nga ekspertët e sigurisë.
Përmes një postimi publik, Maliqi ka theksuar se, sipas tij, qytetarët e Prishtinë kanë nevojë urgjente për polici komunale, e cila do të merrej ekskluzivisht me problemet e përditshme në kryeqytet.
Ai ka përmendur si shqetësime trafikun, zhurmën, ndërtimet pa kontroll, uzurpimin e hapësirave publike dhe ndotjen.
“Ndoshta Kosova edhe ka nevojë për Xhandarmëri, por çdo qytetar i Prishtinës e di se të paktën kryeqyteti ka nevojë për polici komunale”, ka shkruar Maliqi.
Sipas tij, Ligji për Kryeqytetin, i miratuar në vitin 2018, e parasheh krijimin e policisë komunale, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ende nuk ka hartuar udhëzimin administrativ për funksionalizimin e saj.
“Kaq sa i përket interesimit të nivelit qendror për Prishtinën”, ka përfunduar Maliqi. /Lajmi.net/