Mali i Zi dëbon priftin e Kishës Ortodokse Serbe

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka marrë vendim për dëbimin e priftit të Kishës Ortodokse Serbe të Podgoricës, Velibor Xhomiq nga shteti, pasi, sipas Agjencisë për Siguri Kombëtare, ai është pengesë dhe rrezik për sigurinë kombëtare të Malit të Zi.

Lajme

08/02/2015 14:58

MPB i ka dhënë afat priftit Xhomiq që deri sonte në orën 18 të largohet nga Mali i Zi.

Pas katër vjetësh procesi gjyqësor para Gjykatës Administrative të Malit të Zi, Ministria e Brendshme ka nxjerrë një vendim përfundimtar me të cilin urdhërohet që Xhomiq duhet të largohet nga Mali i Zi.

“Ministria e Brendshme, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin, ka për detyrë të respektojë qëndrimet e autoriteteve publike, në këtë rast Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, dhe në procedurën përkatëse ka nxjerrë një vendim përfundimtar që duhet të zbatohet menjëherë”, thuhet në komunikatën e MPB-së malazeze, raporton Anadolu Agency.

Xhomiq, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfillohije Radoviq, tha mbrëmë se nuk do të largohet nga Mali i Zi.

Mirëpo, sot Xhomiq deklaroi për media beogradase se ai megjithatë do të largohet nga Mali i Zi, por që ky akt i autoriteteve malazeze paraqet ndjekje deri në dëbim të priftërinjve të Kishës Serbe në këtë republikë.