“Mali Everest” i shkeljeve që ia gjeti auditori ministrisë së udhëhequr nga Gërvalla

Raporti i auditimit të pasqyrave financiare vjetore të MPJD-së për vitin e kaluar, i lëshuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit, gjeti shkelje serioze në menaxhimin e financave, konkretisht mos-regjistrimin e plotë të shpenzimeve të Misioneve Diplomatike e Konsullore, menaxhim jo-efikas të qirave nëpër misione diplomatike e tejkalim shpenzimesh të përcaktuara me rregullore të brendshme.

Lajme

29/06/2022 21:10

Në mesin e shkeljeve më flagrante që janë identifikuar në raportin e Auditorit është mos-regjistrimi i plotë i shpenzimeve të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore. Sipas këtij raporti, në vitin 2021 pati qarkullim të parave të gatshme nëpër “xhepat” e të dërguarve për misione diplomatike në vlerë prej 2,203,492€. Shumica prej tyre, nuk ishin regjistruar si shpenzime e të hyra nëpër Misionet Diplomatike Konsullore, raporton lajmi.net.

“Në vitin 2021 gjendja e parave të gatshme dhe avanceve të hapura në MPJD përfshirë Misionet Diplomatike dhe Konsullore (MDK) ishte në vlerë prej 2,203,492€. Prej tyre 1,986,538€ kishin të bënin me mos regjistrimin e shpenzimeve, rimbursimeve dhe të hyra konsullore në MDK kurse pjesa prej 216,954€ ishte petty-cash i MPJD-së”, thekson raporti i Auditorit.

Sipas auditorit, “shkaqet e mos-regjistrimit të shpenzimeve të raportuara ishin të ndryshme, si: menaxhimi i dobët i tyre nga ministria, ndërprerja e praktikës të viteve paraprake nga Thesari për zgjatje të afatit për mbylljen e shpenzimeve të MDK-ve, gabimet teknike në ndarjen e mjeteve nga MFPT në kodin funksional joadekuat, lëvizja e zyrtarëve financiar nëpër misione diplomatike si dhe pamjaftueshmëria e kontrollit të brendshëm te zyra e financave”.

Vërejtja tjetër nga ana e Auditorit ka rënduar në shpenzimet e pa aprovuara nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas gjetjeve, Misioni Diplomatik Konsullor në Berlin kishte raportuar shpenzimet për periudhën qershor – gusht në vlerë prej 141 mijë e 932 euro. Pas analizimit të tyre nga zyrtarët në MPJD, ishte identifikuar se shpenzimet në vlerë prej 37 mijë e 866 euro nuk ishin në përputhje me urdhëresën.

Tejkalimet sipas ZKA-së kishin të bënin me shpenzimet e drekave, përderisa blerja e mobiljeve dhe blerjet tjera që kërkonin aprovim ishin bërë pa aprovim nga Sekretari i Përgjithshëm.

Po ashtu, MDK (Misioni Diplomatik Konsullor) në Berlin në muajin gusht kishte bërë pagesë për biletë të udhëtimit në vlerë prej 285€ për një person nga shoqata ekonomike gjermano-kosovare. Për këtë shpenzim nuk kishte aprovim nga sekretari.

ZKA-ja po ashtu ka zbuluar edhe se si iu janë marrë nga procedurat gjyqësore e vonesat në pagesa të qirave tre mijë euro më shumë kësaj ministrie. Sipas gjetjeve të auditorit, Ambasada e Kosovës në Francë nuk kishte paguar në plotëni pagesën e qirasë së banesës në Paris, të marrë për shfrytëzim nga konsujt atje, si dhe kishte shmangur ndryshimin e çmimit.

“Konsullata në Strasburg kishte paguar qiranë deri në muajin maj 2021 për banesën e cila kishte qenë në shfrytëzim të ish zëvendës konsullit i cili e kishte përfunduar mandatin në dhjetor 2020. Vlera e këtyre pagesave ishte 7,569€ (shpenzimet e qirasë ishin 6,241€ dhe shpenzimet e kaucionit 1,328€). Kërkesa për ndërprerjen e kontratës së qirasë ishte bërë në muajin prill 2021; dhe me vendim të gjykatës në Francë, Ambasada e Kosovës në muajin shkurt 2021 kishte bërë pagesën e qirasë në vlerë 13,507€, për banesë të ish konsullit në Paris. Ambasada nuk kishte kryer pagesën e qirasë në plotëni si dhe nuk kishte marrë parasyshë ndryshimin e çmimit sipas Entit të Statistikave që bënë rivlerësimin e çmimit. Për shkak të vonesave në pagesën e obligimeve vlera prej 2,998€ ishte diferenca e qirasë që ishte vlerësuar nga Enti i Statistikave, shpenzimet gjyqësore dhe penale”, thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Diplomatë e konsuj të MPJD-së kanë shkaktuar amulli edhe në raportim për shpenzimet e veturave zyrtare. Sipas auditorit, gjysma e Misionit Diplomatik dhe Konsullor nuk kanë raportuar në Divizonin e transport-logjistikës, sikurse përcaktohet në Udhëzimin Administrativ 04/12.

MPJD, sipas auditorit, vitin e kaluar ka shpenzuar 81% të buxhetit final ose 22,659,798€. /Lajmi.net/