Majori përballë ushtarëve rivalë
Besnik Tahiri thotë se Shpend Ahmeti ka shënuar një fitore të rëndësishme, por para vetes ka shumë sfida. Prandaj, mbështetjen e Asamblesë do ta ketë të domosdoshme në punën e tij. Nuk e di si mund të arrihet përkrahja e partive pa pasur koalicione me to.

Lajme
Njohësi i pushtetit lokal në Kosovë, Besnik Tahiri, thotë se Asamblistët e zgjedhur kudo në Kosovë janë të dirigjuar nga partitë politike dhe një Kryetar që s’e ka shumicën do ta ketë të vështirë t’i përmbushë premtimet e tij.
Tahiri thotë për lajmi.net se Asamblistët nuk janë të lirë të vendosin vetë mbi bazë të debatit dhe argumenteve, për të përkrahur ose refuzuar një vendim të caktuar të një Kryetari Komune, pasi për ta vendosë partia.
Në këtë drejtim, ish Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kryetar të Prishtinës, nuk e di sesi do ta sigurojë mbështetjen e Asamblesë për të miratuar vendimet e tij, Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se nuk do të bëjë pazare me asnjë parti për të bërë koalicione, e as për ta ndarë pushtetin, por do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë në interes të qytetarëve.
Por, një bashkëpunim i tillë për Besnik Tahirin ka pak gjasa të funksionojë.
“Legjitimimi i projekteve kyçe zhvillimore për secilin Kryetar është tepër me rëndësi që ta ketë mbështetjen e Asamblistëve”.
“Mbështetja e Asamblesë merret zakonisht në dakordim me subjektet politike. Mësimet e nxjerra prej 13 viteve të kaluara të pushtetit lokal në Kosovë, tregojnë se Asamblistët nuk votojnë sipas pozicionit të vet, por janë drejtpërdrejt ushtarë të partive politike”.
“Pra, partitë politike e dirigjojnë performansën dhe procesin e votimit nëpër Kuvende”.
“Si do ta realizojë Shpendi programin e tij, në qoftë se Asambleja nuk i qëndron mbrapa – unë nuk e di”.
Sipas Tahirit, Shpend Ahmeti ka shënuar sukses në zgjedhje, por para vetes ka shumë sfida me të cilat do të përballet, prandaj mbështetja e Asamblesë do të jetë e domosdoshme.
“Shpend Ahmeti ka korrë një sukses relativisht të madh me fitoren në Prishtinë. Është një fitore tepër e rëndësishme”.
“Megjithatë, lypsen disa elemente që programi edhe projektet të cilat ai i ka paraqitur të mund të kthehen në praktikë dhe zbatim. E para, është buxheti. E dyta, është mbështetja sidomos për programet që lidhen me planin zhvillimor dhe me ristrukturimin e Komunës nga Asambleja Komunale. Dhe, e treta është mbështetja e Asamblesë, pra – legjitimimi i vendimeve përmes saj”.
Pa miratimin e vendimeve nga Asambleja, Tahiri thotë se do të jetë e vështirë të ndërmerren reformat e nevojshme në Komunën e Prishtinës.
“Një ndër problemet themelore që ka pasur Komuna e Prishtinës ka qenë mosrealizimi i buxhetit, ku diku 40 milionë euro buxhet nuk janë realizuar në 4 vitet e fundit. Kapaciteti zbatues i ekzekutivit të Komunës ka çaluar”.
“Në këtë kuptim, këto duhet të rigjenerohen, të forcohen, dhe sipas vlerësimit tim, duhet të bëhet riformulimi i plotë i departamenteve. Për të ndodhur kjo, duhet të ndryshohet Statuti i Komunës, gjë që kërkon miratimin e Asamblesë ”.
“Për mendimin tim, ai së pari duhet ta kalojë Rregulloren e Punës, që të mund të zgjidhet Kryesuesi i Asamblesë Komunale, dhe të mund të kalohet plani i ri zhvillimor. Për t’i ndryshuar planet rregullative në disa raste duhet shumica e thjeshtë, që nënkupton 26 Asamblistë, apo 2/3”.
“Këto nuk i ka. Unë nuk e di si ka planifikuar ai ta marrë këtë mbështetje kur s’ka koalicione”.
Si e parashikon Besnik Tahiri bashkëpunimin e Shpend Ahmetit me disa nga Ministritë e Qeverisë Qendrore, si p.sh., Ministrinë e Financave, Ministrinë e Qeverisjes Lokale, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor?
“Janë disa Ministri të linjës të cilat janë tepër të rëndësishme për Komunën e Prishtinës. E para dhe më e rëndësishmja është Ministria e Financave, e cila përcjell investimet. Mendoj që Ministritë e kanë obligim që t’i përcjellin komunat, megjithatë, është po ashtu obligim i Kryetarit që të jetë përgjegjës dhe shumë aktiv në këtë drejtim”.
“Unë pres dhe kërkoj prej Kryetarit Ahmeti që të jetë tepër aktiv në bashkëpunim me Qeverinë qendrore, në radhë të parë për ta kaluar Ligjin për Prishtinën, e pastaj edhe për t’i promovuar projektet e mëdha zhvillimore që ndërlidhen edhe me projektin e ujit”.
“Mos harroni, uji është përgjegjësi e përbashkët e Ministrisë së Ekonomisë, që i mbikëqyrë ndërmarrjet publike, dhe e Komunës. Në këtë rast, bashkëpunimi me Ministrinë e Ekonomisë është tepër i rëndësishëm”.
Sipas kësaj analize të mënyrës së funksionimit të nivelit lokal, “Mayori” i ri i Prishtinës, që i ka vetëm 10 Asamblistë, do ta ketë të vështirë betejën përballë ushtarëve të partive rivale, që janë disa herë më të shumtë në numër.