“LVV të ofrojë tre kandidatë për kryetar Kuvendi” – Rashiti paraqet 10 opsione për tejkalimin e ngërçit politik

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish për të tetën herë të konstituohet, kjo për shkak se kandidatja e propozuar nga LVV për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu sërish nuk mori votat e mjaftueshme. E pas kësaj situate të krijuar që nga 15 prilli, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, ka dalë me 10…

Lajme

29/04/2025 12:12

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish për të tetën herë të konstituohet, kjo për shkak se kandidatja e propozuar nga LVV për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu sërish nuk mori votat e mjaftueshme.

E pas kësaj situate të krijuar që nga 15 prilli, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, ka dalë me 10 opsione sesi të tejkalohet ky ngërç.

Rashiti në një postim në Facebook, ka shkruar se zgjedhjet e reja duhet jenë zgjidhja e fundit.

Sipas tij opsioni i parë është që LVV të propozojë tre kandidatë për kryetar/e të Kuvendit dhe t’u jepet mundësia deputetëve që të votojnë njërin prej tyre.

Opsioni tjetër sipas tij është që një grup i deputetëve me urgjencë duhet të dërgojnë një pyetje specifike në Gjykatën Kushtetuese.

“3.LVV të bëjë marrëveshje politike me subjektet parlamentare. As bashkëpunimi me Nismen nuk arrihet pa marrëveshje politike për bashkëqeverisje. 4.Në rast të dështimit të LVV-së për të siguruar votat për forminin e qeverisë, opozita do të ketë shansin e vet, por nuk e ka të garantuar”, ka shkruar Rashiti.

Për të opsioni i pestë përfshinë kohën për lidership të guximshëm e marrëveshje të mëdha politike të guximshme për bashkëqeverisje dhe se marrëveshjet politike duhen tani apo pas përsëritjes së zgjedhjeve të reja.

“6. Një opsion është që partia fituese LVV të formojë një qeveri minore, me mbështetjen e disa subjekteve apo deputetëve, me kusht që ata marrin kryetarin e Kuvendit. Kjo qeveri duhet të jetë me mandat shumë të kufizuar kohor. 7.Qeveri teknike – Nëse LVV, PDK dhe LDK besojnë se blloqet e tyre nuk mund të formojnë qeverinë, ato duhet të pajtohen për një qeveri teknike (përfshirë programin dhe prioritetet) me mandat deri në shkurt të vitit 2026”, ka shkruar tutje Rashiti.

Rashiti ka shtuar se nëse të gjitha këto opsione nuk funksionojnë, subjektet politike duhet të pajtohen për shpalljen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt.

“9.Dhe për të gjitha opsionet duhet dialog në nivel të lartë politik në mes të liderëve. 10.Mungesa e dialogut do të thellojë krizën dhe do t’i detyrojë subjektet të bëjnë zgjidhje të rrezikshme për të ardhmen dhe funksionimin e institucioneve”, ka shkruar ai.