LVV në Prishtinë kundërshton draft-rregulloren për tarifa komunale: Është e papranueshme dhe diskriminuese
Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në dëgjimin publik për Projekt-Rregulloren mbi tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, ku kanë paraqitur vërejtje dhe kundërshtime ndaj draftit të propozuar. Në një postim në Facebook, Sveçla ka theksuar se dokumenti, sipas tyre, përmban elemente…
Lajme
Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në dëgjimin publik për Projekt-Rregulloren mbi tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, ku kanë paraqitur vërejtje dhe kundërshtime ndaj draftit të propozuar.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka theksuar se dokumenti, sipas tyre, përmban elemente të papranueshme dhe diskriminuese, të cilat do të rëndonin qytetarët dhe bizneset lokale.
“Në emër të grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, paraqitëm vërejtjet dhe kundërshtimet tona ndaj një drafti që, në shumë aspekte, është i papranueshëm dhe diskriminues”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se kanë kërkuar largimin e disa propozimeve që, sipas tij, do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë negativ në jetën e qytetarëve dhe në bizneset e vogla.
“Kërkuam që të hiqen propozimet që rëndojnë qytetarët dhe bizneset, si tarifat hyrëse për vetura, taksat për zejtarët dhe zanatlinjtë, dyqanet e vogla të lagjeve, e të tjera”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, gjatë procesit të dëgjimit publik janë paraqitur edhe amendamente konkrete, me qëllim të hartimit të një rregulloreje më të drejtë dhe më të arsyeshme për interesin publik.
“Gjithashtu paraqitëm amendamentet dhe propozimet tona për një rregullore më të drejtë, më të arsyeshme dhe në shërbim të interesit publik”, ka shtuar ai.
Debati për këtë draft-rregullore ka ngjallur reagime të shumta në opinion, sidomos për propozimet që lidhen me tarifa të reja komunale, përfshirë edhe ato për biznese dhe kategori të ndryshme profesionale. /Lajmi.net/