LVV kërkon rivotimin me postë, LDK: Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tri kërkesa, duke kërkuar që të vendosë për rivotimin me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Për këtë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjë për të cilën thonë se kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të…

Lajme

17/03/2025 18:34

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tri kërkesa, duke kërkuar që të vendosë për rivotimin me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Për këtë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjë për të cilën thonë se kjo përpjekje për të cenuar vullnetin e lirë të votuesve në mërgatë përbën një akt të rrezikshëm ndaj integritetit demokratik të procesit zgjedhor.

“Pikërisht përfaqësuesit politikë të kësaj partie, të emëruar nëpër ambasada dhe konsullata, janë ata që kanë ndërhyrë dhe manipuluar votat e diasporës në zyra e korridore. Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar”, thuhet në njoftim.

Tutje nga LDK-ja shprehen duke thënë se ka prova mbi vetë-inkriminimin publik të aktivistëve të Vetëvendosjes në mbushjen masive të fletëvotimeve të mërgatës.

“Nëse duhet të shqyrtohet anulimi i ndonjë vote për shkak të parregullsive, pikërisht këto raste duhet të jenë objekt i një hetimi të plotë dhe të paanshëm. Është paradoksale dhe thellësisht hipokrite që kjo kërkesë për anulimin e votave të mërgatës të vijë pikërisht nga Vetëvendosje, një subjekt politik që në zgjedhjet e vitit 2019 pati mbrojtur mbi 4.000 zarfe të ardhura nga “mërgata” serbe, duke kërkuar në Gjykatën Supreme që ato vota të pranoheshin si të rregullta”, theksohet në njoftim.

Ndryshe nga kjo parti kanë thënë se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur integritetin e votës së saj, brenda dhe jashtë vendit.

“Nuk do të lejojmë që vullneti politik dhe demokratik i mërgatës sonë të cenohet sa herë që rezultati zgjedhor nuk përputhet me interesat e Vetëvendosjes”.

Po ashtu sipas tyre kjo po bëhet me qëllim për të ndaluar kandidimin për deputet Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj.

“E njëjta parti sot kërkon anulimin e votave të diasporës shqiptare – natyrisht, vetëm atyre që janë në favor të LDK-së – dhe, njëkohësisht, synon të ndalojë kandidimin për deputet të z. Hysen Çekaj, djalit të heroit të kombit, Sali Çekaj”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/