LVV-ja kërkoi hetim, Rama mohon akuzat për ndërhyrje në legalizimin e pronave
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se nuk ka informacion nëse dikush nga kryesia e komunës është ftuar nga Prokuroria lidhur me pretendimet për ndërhyrje në legalizimin e katër pronave, për të cilat asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kallëzim penal. Këto deklarata, Rama i bëri pas përurimit të Tregut të Veturave në Bërnicë…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se nuk ka informacion nëse dikush nga kryesia e komunës është ftuar nga Prokuroria lidhur me pretendimet për ndërhyrje në legalizimin e katër pronave, për të cilat asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kallëzim penal.
Këto deklarata, Rama i bëri pas përurimit të Tregut të Veturave në Bërnicë të Poshtme.
I pyetur nëse ka pasur komunikime me këshilltarin e shefit të kabinetit të tij lidhur me blerjet për të cilat është raportuar, Rama tha se ka komunikuar me atë, por mohoi çdo parregullsi.
“Edhe e kam thënë edhe publikisht, që gjithçka ka qenë e fabrikuar. nuk ka pasur asnjë të vërtetë në to. E kam thënë këtë edhe publikisht, po e them prapë. Unë edhe atëherë kam ftuar prokurorinë me u marrë me të gjitha këto gjëra. Po them, është transparencë totale edhe jemi të hapur”, tha Rama.
Kryetari i Prishtinës tha se të gjitha dokumentet janë të hapura dhe publike, duke theksuar se këto janë çështje politike të kota për t’i ndaluar proceset e mira në kryeqytet.
“Unë e kam thënë edhe publikisht edhe i kam ftuar edhe prokurorinë edhe të gjithë, edhe i kemi hapur të gjitha ato files, këto dokumentet me i shiku. Çdo gjë, nuk ka asgjë që është e jashtëligjshme. Çdo gjë është përbrenda ligjit… 06:19… Këto janë të hapura për gjithkënd, janë dokumente publike. Po edhe ju mundeni me shkuar atje, ju edhe secili qytetar. Këndej që ka kohë e dëshiron me i parë”, tha ai.
Përndryshe, në fund të korrikut, grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës një kallëzim penal ndaj kryetarit Përparim Rama dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij.
Sipas asamblistes së LVV-së, Blerita Abazi, kallëzimi penal ishte bazuar në një sinjalizim anonim, i cili përmbante mesazhe me pretendime për legalizime të jashtëligjshme të objekteve dhe shuma të mëdha parash. Në këto pretendime, sipas saj, përmendej edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës.
LVV-ja i kishte bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nisë hetime për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal.
Deri më tani, pretendimet e përfshira në kallëzim penal mbeten akuza që duhet të verifikohen nga organet kompetente.