​LVV insiston: Nuk do të ndryshojmë emrin e propozuar për kryeparlamentare

Lëvizja Vetëvendosje do të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht se në gjashtë tentime e njëjta nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post. Në partinë e Albin Kurtit kërkojnë “reflektim nga partitë të tjera parlamentare”, derisa thonë se edhe në seancën e nesërme…

Lajme

06/05/2025 19:19

Lëvizja Vetëvendosje do të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht se në gjashtë tentime e njëjta nuk ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post. Në partinë e Albin Kurtit kërkojnë “reflektim nga partitë të tjera parlamentare”, derisa thonë se edhe në seancën e nesërme do të këmbëngulin që votimi për të parin e legjislativit të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në njëmbëdhjetë tentime kanë dështuar të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se janë të interesuar për zhbllokim të krizës politike në Kosovë, andaj sipas tij edhe e kanë ftuar për koalicion qeverisës LDK-në.

Pavarësisht ftesës për koalicion qeverisës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të martën refuzoi LVV-në, derisa propozoi formimin e një qeverie nacionale tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit në vitin 2026.

“Kryeministri [Albin Kurti] ka bërë ftesë haptas të drejtpërdrejtë, publike dhe pa i lënë hapësirë imagjinatës për një bashkëpunim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Konsiderojmë se kjo mund të jetë një nga format e zhbllokimit të kësaj situate dhe tash presim përgjigje nga ta. Edhe një herë, është jetike që Kosova të konstituojë Kuvendin dhe të vazhdohet me formim të qeverisë, pasi kjo situatë nuk i shërben askujt dhe është në dëm të qytetarëve”, thekson ai.

Ai thotë se “pas refuzimeve të njëpasnjëshme për zgjidhje politike në Kuvend, qytetarët duhet të shohin se kush është problemi dhe shkaku i bllokadës politike”.

“Urojmë që të reflektohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos kur vjen puna te votimi i kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Jemi duke bërë maksimumin që është në dorën tonë për të dal nga kjo situatë. Tashmë qytetarët po e shohin se ku është problemi dhe shkaku i bllokadës”, shton ai.

Sipas tij, partitë e tjera nuk e kanë problem emrin e Haxhiut për kryeparlamentare, mirëpo “thjesht duan të bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.

“Nuk besoj e kanë problem ata [opozita] emrin e përveçëm. Thjesht është një veprim bllokues dhe për të cilin besoj se këdo që do të vendosim do të vepronin njëjtë, pa marrë parasysh se deklaratat janë ndryshe. E propozuara jonë për kryetare të Kuvendit mbetet Albulena Haxhiu”, deklaron Abrashi.

Sipas tij, LVV-ja i ka votat për formim të qeverisë edhe pa marrëveshje me LDK-në.

“Së pari Kuvendi, pastaj qeveria. Të zgjedhim njëherë kryesinë e Kuvendit, kryetaren dhe nënkryetarët dhe pastaj vijmë tek kjo temë. Pastaj e shohim a janë apo jo numrat. Kjo bllokadë nuk e di se pse po bëhet dhe nuk i shkon në favor askujt”, thotë ai.

Madje, Abrashi insiston se edhe në seancën e nesërme do të vazhdohet procedura e njëjtë që përmes votimit të komisionit verifikues, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet në formë të fshehur.

Ky veprim, sipas tij, do të krijonte një rehati për një votim të pandikuar të deputetëve.

“Votimi i fshehtë është propozuar si një mundësi që deputetëve të cilët janë nën presion partiak t’iu krijohet një komoditet për një votim të pavarur dhe të pandikuar. Edhe kjo po iu pengon. Kemi menduar që nuk do të vijë puna të bllokohet Kuvendi pa arsye. Është e njëmbëdhjeta herë që po mblidhemi dhe kemi mbetur këtu ku jemi”, thekson Abrashi.

Sipas tij, nëse është e pamundur dalja nga kriza aktuale, zgjedhjet mbesin e vetmja mundësi.

“Kosova sapo e përmbylli një cikël zgjedhor, të cilat ishin zgjedhje të rregullta. Për herë të parë ishim në afate kushtetuese dhe doli ky rezultat. Unë nuk mendoj që vendi ka nevojë për zgjedhje. Por nëse është e pamundshme me dal nga kjo situatë, atëherë zgjedhjet mbeten e vetmja mundësi ku ne i rikthehemi sovranit dhe kërkojmë një rikonfirmim politik”, përfundon Abrashi.

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Kundër propozimit të LVV-së po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.