​LVV e pakënaqur pas vendimit të Supremes, Sallahu: Vendim politik, do t’i drejtohemi Kushtetueses

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai shkroi se Lëvizja Vetëvendosja do të parashtrojë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese. “Do të…

Lajme

26/03/2025 16:49

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai shkroi se Lëvizja Vetëvendosja do të parashtrojë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese.

“Do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, shkroi Sallahu.

“Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje Vetëvendosje. Do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi”.

Supremja refuzoi të martën ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë demokratike të Ashkalinjve.

“Dy ankesat e pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në faqen zyrtare të gjykatës.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë më 21 mars në Supreme, kundër vendimit të PZAP-së ku u rrëzua ankesa e tyre për anulim të votave me postë të LDK-së si dhe kërkesën për rivotim me postë.

E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha më herët se varësisht prej vendimmarrjes së Supremes, do t’i zbatojnë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.

Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Sipas rezultateve, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë.