Lushtaku: Rrezikojmë zgjedhjet e katërta, nuk kemi parë asnjë ndryshim nga Kurti

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtaku, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhjet e katërta, ndërsa ka kritikuar mungesën e kompromisit politik dhe mosfunksionimin e institucioneve. “Po deri më sot po shohim që se dy vite nuk janë konstituuar institucionet mirëfilltë që mos me shku…

Lajme

10/08/2026 18:21

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtaku, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhjet e katërta, ndërsa ka kritikuar mungesën e kompromisit politik dhe mosfunksionimin e institucioneve.

“Po deri më sot po shohim që se dy vite nuk janë konstituuar institucionet mirëfilltë që mos me shku nga zgjedhjet në zgjedhje. Tash mundësia reale është që me shku edhe zgjedhjet e katërta me radhë, fatkeqësisht”, tha Lushtaku.

Ai tha se mosfunksionimi i institucioneve po ndikon në kategori të ndryshme të shoqërisë.

“Kur një pushtet nuk e merr me qetësi që me bashkëpunuar me pasur kompromis dhe me i formuar institucionet që me i adresuar kërkesat e bujqve, të studentëve, të administratës, të shërbimit publik apo edhe sigurisht edhe të shërbimit shëndetësor. E të gjitha kategorive të kësaj shoqërie që çdo ditë e më shumë po i vështirësohet organizimi, funksionimi”, u shpreh ai.

Lushtaku përmendi edhe problemet me energjinë elektrike, duke thënë se pasojat e mosfunksionimit institucional po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

“Kemi raste edhe të transfuzionit të gjakut që sa orë është pa energji elektrike që e vështirëson jetesën. Çdo ditë e më shumë mosfunksionimi po bëhet realitet”, tha ai.

Sipas Lushtakut, opozita ka dhënë qëndrimet e saj, por nuk ka parë ndryshim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Ne realisht kemi pasur, që kanë dërguar letra te njëpasnjëshme po kemi dhënë qëndrimet publike që ne jemi si opozitë dhe qëndrimet tona janë publike, por nuk kemi parë asnjë ndryshim nga ana e Albin Kurtit”, deklaroi Lushtaku.

Ai tha se Kurti e ka shumicën për formimin e Qeverisë, por jo edhe për zgjedhjen e presidentit.

“Ne çdo herë kemi thënë edhe para se të shkojmë në këto zgjedhje që e lamë pas, që ai ka mazhorancën e ka shumicën për me i formuar qeverinë, por nuk e ka shumicën që me zgjedhur presidentin”, tha Lushtaku.

Duke folur për nevojën e kompromisit, ai shtoi: “Derisa ka kompromis në çdo shoqëri edhe Kushtetuta e Kosovës është e bazuar në vendet evropiane, sigurisht që edhe atje e kanë ditur që ka me pasur një ngërç politik dhe do të ketë kompromis”.

Lushtaku akuzoi Kurtin se po tenton ta paraqesë opozitën si fajtore.

“Derisa ai po mundohet me i barrikaduar opozitën si fajtore dhe po mundohet që me thënë ju e keni obligim me vendos atë që e thom unë, sigurisht që ne nuk do të bimë në kurthin e tij dhe në kundërshtimin e tij”, u shpreh ai.

Në fund, Lushtaku tha se PDK-ja nuk e sheh si të sigurt që të gjitha pozitat e larta shtetërore të jenë në duart e një subjekti politik.

“Sepse për neve tashmë ai bën një lloj decidivisti se vazhdimisht e shkel ligjin, vazhdimisht e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe sigurisht që nuk mundemi me pa siguri që me i pasur të gjitha pozicionet hierarkisë së shtetit më të larta.”

I pyetur nëse PDK-ja ka pranuar ndonjë ftesë për takim ditëve të fundit, Lushtaku u përgjigj: “Jo, s’kemi pranuar”. /Lajmi.net/