Lushtaku: Është koha që edhe mbështetësit e Albin Kurtit ta kuptojnë se Kosova është në rrezik
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe mbështetjes së saj nga NATO, lidhur me përgatitjet për evakuim të mundshëm në rast përshkallëzimi të situatës në vend. Në një postim publik, Lushtaku e cilësoi këtë deklaratë si një “kambanë alarmi” dhe kritikoi ashpër qasjen e Qeverisë Kurti,…

Lajme
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe mbështetjes së saj nga NATO, lidhur me përgatitjet për evakuim të mundshëm në rast përshkallëzimi të situatës në vend.
Në një postim publik, Lushtaku e cilësoi këtë deklaratë si një “kambanë alarmi” dhe kritikoi ashpër qasjen e Qeverisë Kurti, duke thënë se politika po udhëhiqet nga inati, e jo nga vizioni, transmeton lajmi.net.
“Kur një budalla hedh një gur në bunar, 100 të mençur nuk e nxjerrin. Kështu ndodh kur politika bëhet inat, e jo vizion,” shkruan Lushtaku, duke e lidhur këtë me tensionet aktuale dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.
Ai shtoi se sovraniteti dhe drejtësia janë të domosdoshme, por ato gjithmonë janë arritur në bashkëpunim me miqtë e Kosovës: SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.
“Çdo hap që na largon prej tyre i shërben planit të Serbisë, që prej vitesh punon për ta paraqitur Kosovën si problem, e jo si partner,” theksoi deputeti opozitar.
Lushtaku gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të kryeministrit Albin Kurti që të reflektojnë dhe të vendosin interesin e vendit mbi atë të individit.
“Është koha që edhe mbështetësit më të mëdhenj të Albin Kurtit ta kuptojnë se Kosova është në rrezik, dhe atdheu është më i madh e më i rëndësishëm se individi,” shkroi ai, duke përfunduar se “sot duhet të jemi zëri i arsyes, jo i inatit dhe verbërisë”./lajmi.net/