Lushaku vë në pah paradoksin nga VV: Hera e parë që një parti s’i respekton vendimet e Kushtetueses

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se Vetëvendosje është partia e parë politike që nuk ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Lajme

26/04/2022 22:34

Lushaku i është referuar ministres së Arsimit Arbërie Nagavci dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila gjeti shkelje në vendimin për mësim alternativ të përshpejtuar në Kamenicë.

“Hera e parë që një parti politike nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo ka konotacion tragjik. Njëra prej ministrive kryesore i ka shfrytëzuar në kohë zgjedhore nxënësit, shkollat e prindërit për fushatë elektorale për të fituar vota dhe gjykata kushtetuese e shpall të kundërligjshëm vendimin dhe kemi një ministër që merr kurajo për të kontestuar këtë dhe çon letër në Gjykatën Kushtetuese, këtu kemi keqkuptim përmbajtjesor të ndarjes së pushteteve”, ka thënë Lushaku në Rubikon.

Ajo madje tha se Vetëvendosje nuk është duke u treguar transparente me çështjen e dialogut.

Sipas saj, LDK-ja do të bëjë përpjekje që të adresojë të gjitha kërkesat e saj karshi dialogut, të konsultohet me të gjitha ambasadat, përfaqësuesit, madje edhe me qeverinë por, siç theksoi ajo, LDK-ja nuk është udhëheqëse e dialogut.

“E kemi një qeveri që edhe këtë dialog që është teknik nuk e bën me transparencë ashtu siç ka kërkuar gjithmonë dhe s’po e dëshmon transparencën. Një transparencë më e madhe do të ishte shumë më e punueshme për qytetarët”, shtoi ajo.

Ajo tha se Vetëvendosje është duke u marrë me të kaluarën në vend që të fokusohet në të ardhmen.

“Me fajtorët e së kaluarës janë duke u marrë këta që do të duhej të qeverisnin për të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi ajo.

Lushaku ndër të tjera tha se kjo parti është duke prodhuar skandale në politikën e jashtme, të cilat, sipas saj, po e dëmtojnë imazhin e vendit.

“Në politikën e jashtme i ke rresht skandalet. Skandale në komunikime me ndërkombëtarë, të pavërteta të thëna nga nivelet më të larta ku statuset dhe takimet e brendshme, këto adresime janë jo vetëm joprofesionale por e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës. 26 ambasada kanë qëndruar pa ambasadorët e lartë. Kemi pasur mungesë të tyre në kryeqytetet kryesore, kjo e ka dëmtuar Kosovën në mbajtjen gjallë të temave dhe të asaj çka janë nevojat e Kosovës”, tha ajo.